
192 mijë është numri total i punëtorëve që kanë aplikuar për kompensim të pagës në vlerë 170 euro në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Por jo të gjithëve u kanë dalë këto para nga Ministria e Financave, që janë të parapara në Masën 3 në Pakon Emergjente Fiskale të hartuar nga kjo Ministri.
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një intervistë dhënë për “Front Online”, ka thënë se deri më sot këto mjete janë derdhur në llogari të 164 mijë punëtorëve.
“Nga 11 prilli e deri me datën 15 maj kur ka qenë data e fundit për parashtrimin e kërkesave , asnjë pengesë në aspektin teknik nuk kemi pasur. Do të thotë bizneset në kohë reale dhe në kohë shumë të shkurtë dhe shumë të lehtë kanë arritur që të parashtrojnë kërkesat. Totali i kërkesave për kompensim të punëtorëve është gjithsej 192 mijë punëtorë, për të cilët është kërkuar kompensim”, ka thënë ai për “Front Online”.
E shqyrtimi i kërkesave nga bizneset për kompensim të pagave është duke vazhduar ende në ATK. Por, Murtezaj theksoi se totali i mjeteve të kompensuar deri më tani është 26 milionë euro.
“Ne si institucion duke pasur disa nga informatat lidhur me shqyrtimin e kërkesave të deritanishme, kemi si informatë që deri sot do të thotë janë mbi 164 mijë punëtorë që u janë derdhur mjetet në llogari të tyre për kompensim të pagave. Totali i mjeteve financiare të cilat janë kompensuar janë mbi 26 milionë euro. Ndërsa si kërkesa të tërësishme kemi gjithsej 49 mijë e 714 kërkesa”, ka thënë ndër të tjera Murtezaj.
Mbi 12 mijë biznese aplikojnë për kompensim të qirasë
Me Pakon Emergjente Fiskale të hartuar si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19 në vend, është mundësuar edhe subvencionimin e qirasë, deri në maksimumin e masës deri në 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për muajin prill dhe maj 2020.
Lidhur me këtë drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj ka bërë të ditur për “Front Online”, se janë mbi 12 mijë biznese që kanë aplikuar për kompensim të qirasë.
“Në kuadër të masave nga Pakoja Emergjente Fiskale është paraparë edhe kompensimi për qiratë. Totali i kërkesave për kompensim të qirave është 12 mijë e 461 kërkesa”, ka potencuar Murtezaj.
ATK-ja pranon që ka pasur keqpërdorime dhe paqartësi nga bizneset
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, pati pranuar që gjatë aplikimeve për kompensim të pagave të punëtoreve ka pasur shkelje dhe keqpërdorime të shumta. Madje ai ka përmendur një rast ku një kontabilist e ka futur veten në mbi 20 lista të bizneseve për aplikim.
Për këtë gjë ka folur edhe drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një intervistë për “Front Online”.
Ai tha se ka pasur raste të shumta të identifikuara edhe nga Komisioni Hetimor.
“Ka raste të tilla edhe pse mund të konstatojmë që nuk janë raste të shumta. Derisa janë identifikuar disa nga këto raste atëherë ka bërë që edhe Komisioni të jetë më syçelë në kuptimin e verifikimeve më të detajuara gjithmonë me qëllim që të parandalohet ose të evitohet mundësia e ndonjë gabimi ose keqpërdorimi eventual nga individë të caktuar”, ka thënë Murtezaj për “Front Online”.
Lidhur me paqartësitë dhe hutimet që janë krijuar tek bizneset, Murtezaj ka konfirmuar që ka pasur edhe të atillë që kanë tërhequr aplikimet, pas sqarimeve që kanë marrë.
“Pas fillimit të aplikimeve, sigurisht ka pasur paqartësi nga individë dhe nga biznese të caktuara, se kush mund të përfitojë dhe kush jo. Ka pasur raste kur vet kompanitë kanë parashtruar kërkesë që të revokojnë ose që të tërheqin kërkesat e tyre, duke dhënë shpjegime se kanë keqkuptuar masat dhe me vet dëshirë kanë parashtruar kërkesë për tërheqje të kërkesave të tyre”, ka thënë drejtori i ATK-së.
Murtezaj: Nuk ka vendim nëse do u merren paratë keqpërdoruesve të Pakos Emergjente
Për sa i përket numrit të rasteve të keqpërdorimeve të Pakos Emergjente Fiskale, Murtezaj ka thënë se nuk është numër i madh.
“Ndërsa nga Komisioni dhe nga stafi që kanë qenë të angazhuar në verifikim të kërkesave ka raste kur janë identifikuar për parregullsi ose për keqpërdorime eventuale. Rastet e tilla dërgohen tek inspektorët tatimor me qëllim të verifikimit të mëtutjeshëm dhe në këtë drejtim kemi një numër që nuk është i madh i rasteve që janë dërguar dhe janë duke u bërë verifikime”, ka thënë ndër të tjera ai.
Murtezaj ka bërë të ditur se ende nuk ka ndonjë vendim lidhur me atë se a do t`u merren paratë keqpërdoruesve të Pakos Emergjente Fiskale.
“Por ende nuk kemi konstatim ose vendim final lidhur me atë se a do t`u kërkohet që t`i kthejnë mjetet në rast që veç i kanë marrë apo duhet të procedohet tutje rasti”, ka thënë ai për ‘Front Online”.