
Shtetet e Bashkuara kanë kaluar shifrën e 1 milion personave të prekur me koronavirus, vetëm pak muaj pasi sëmundja mbërriti në kontinentin amerikan.
Bazuar në të dhënat e ”Worldometers, 1,064,572, persona janë infektuar, dhe 61,669 amerikanë kanë gjetur vdekjen, më shumë se ushtarët e vrarë në Luftën e Vietnamit.
Gjatë luftës së Vietnamit jetën e kanë humbur 58.220 amerikanë.
Dyshohet se virusi u transmetua në popullsinë vendëse nëpërmjet Europës dhe jo nga Kina, ku shpërtheu fillimisht epidemia vdekjeprurëse.
Presidenti amerikan, Donald Trump tha të martën e 28 prillit se si masë sigurie, të gjithë pasagjerët e linjave ndërkombëtare të fluturimit në të ardhmen mund t’i nënshtrohen testimit për bartjen e koronavirusit.
Në Shtetet e Bashkuara, Nju-Jorku mbetet shteti më i goditur nga koronavirusi, më pas vijnë Nju-Xhersi, Masaçusetsi dhe Ilinoisi.