Pas miratimit të buxhetit të rishikuar, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami po kërkon nga Kuvendi edhe shqyrtimin dhe miratimin e pakos për rimëkëmbje ekonomike.
Ministrja Bajrami ka thënë se për adresimin e krizës shëndetësore e në veçanti për çështje ekonomike, Ministria e Financave ka sponsorizuar një projektligj horizontal ose ‘omnibus’ me një fond prej 385 milionë euro.
Ajo pret që javën tjetër të nis shqyrtimi në kuvend i këtij projektligji para se të shkojnë në pushim të zgjedhurit.
“Besojmë se do të kalojë së shpejti për shkak të pandemisë edhe pse mbajtja e seancave është vështirësua. Megjithatë unë jam e sigurt që deputetët, kryesia e Kuvendit të dinë rëndësinë edhe të këtij ligji dhe pres që në javën tjetër të filloj shqyrtimi nëpër komisione dhe pastaj të shkojë në leximin e parë. Gjithsesi ne si Ministri e Financave do të paraqesim kërkesë që kjo të kaloj edhe në Kuvend me procedura të përshpejtuara”, thotë Bajrami.
Ajo thotë se deputetët duhet ta kenë parasysh gjendjen e rëndë të bizneseve të shkaktuara nga pandemia dhe pasojat që janë krijuar në sektorin e privat.
“Nuk kam informacioni që Kuvendi planifikon të shkojë në pushim, në fakt e dimë që gushti zakonisht është muaj i pushimeve, por duke marrë parasysh që jemi në një situata jo të zakonshme dhe kemi një krizë edhe shëndetësore dhe ekonomike me të cilën po përballen qytetarët në baza ditore, nuk pres që kuvendi të shkon në pauzë. Është një iniciativë në fakt e Kuvendit, të vet kryetares. Ka një interes për propozimin e rregullores në mënyrë që të mundësohet edhe votimi online. Kishte me qenë shumë mirë në qoftë se ai nen të votohet që duhet të ketë 2/3 të deputetëve në Kuvend dhe pastaj të mundësohet edhe mbajtja e seancave online. Kjo do të ishte në funksion të aprovimit të ligjeve në përgjithësi, i cili në këtë kohë është tepër më rëndësi, sidomos këto pjesët që kanë të bëjnë me adresimin e çështjeve që lidhen me pandeminë”, thotë Bajrmai.
Për sa i përket këtij projektligji që është miratuar nga Qeveria më 23 korrik, ajo thotë se kanë ndryshuar disa ligje për tejkalimin e krizës pas pandemike.
“Në fakt për adresimin e krizës edhe shëndetësore, por më shumë ekonomike të shkaktuara nga pandemia ne kemi pasur këto dy ligje si instrumente që është rishikimi i buxhetit me të cilin ne kemi alokuar fonde për adresimin e krizave që ka shkaktuar në secilin sektor pandemia. Të themi të drejtën, buxheti gjatë dy leximeve në kuvend nuk është që nuk ka pësuar ndryshime… përpos rishikimit të buxhetit ne kemi bërë edhe një ligj tjetër si qeveri e Republikës së Kosovës që ka qenë i sposorizuar nga Ministria e Financave. Në këtë rast është ligj horizontal ndryshe i qujatur në gjuhën juridike si ligj ‘omnibus’. Me këtë ligj kemi paraparë ndryshimin e disa ligjeve në mënyrë që të na bëhet e mundshme tejkalimi i disa neneve të ligjeve të caktuara për implementimin e pakos për rimëkëmbje ekonomike”, thotë Bajrami.
Komuniteti i biznesit vazhdimisht është duke kërkuar që të shqyrtohet dhe miratohet shpejt plani për rimëkëmbje ekonomike në Kuvend.
Derisa buxheti i rishikuar për vitin 2020 është miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës, i cili pritet të hynë në fuqi pas dekretimit nga Zyra e Presidentit dhe publikimit në Gazetën zyrtare.
Ministrja Bajrami ka treguar procedurat për këtë projektbuxhet që është votuar në orët e vona të enjten.
“Secili Ligji pasi të hyjë në Kuvend ka edhe një procedurë tjetër për të hyrë në fuqi. Presidenti i Kosovës ka shtatë ditë ose tetë afat për ratifikim, besoj për shkak të situatës do të kërkojmë nga Zyra e Presidentit që ligji të ratifikohet me një afat më të shkurt… Janë gjëra në këtë moment që nuk varen nga ne, varet …….nga Zyra e Presidentit se kur ai do ta dekretojë dhe të shpallet në gazetën zyrtare. Në momentin që kjo ndodhë, ne si Ministri dhe Thesari është i gatshëm që të fillojë me ekzekutimin e pagesave”, thotë ministrja Bajrami./kp