×
  • Lajme
  • Lajme

    Auditori gjen shkelje të natyrës penale në komunën që udhëhiqet nga Xhafer Tahiri

    FrontOnline
    29 Qershor 2020

    Shumë shkelje dhe dallavere me tender janë evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditmit në Komunën e Vushtrrisë e cila udhëhiqet nga kryetari, Xhafer Tahiri. Shkuljet janë të vitit të kaluar. ZKA ka publikuar dje Raportin për Pasqyrat Financiare të Komunës së Vushtrrisë për vitin 2020.

    Ndryshime në pozicionet e kontratës, shkelje në certifikimin e pagesave dhe menaxhimin e kontratave, shkelje në vlerësimin e tenderëve, shkelje në menaxhimin e kontratave. Këto janë disa prej gjetjeve të Auditorit për Komunën e Vushtrrisë, të cilat përbëjnë edhe elemente të natyrës penale.

    Neni 61.21 RrUOPP specifikon se “Ndryshimi i kontratës i referohet një ndryshimi në termat dhe kushtet e një kontrate të shpërblyer”, neni 61.22 thotë se “ndryshimi i kontratës do të përgatitet nga departamenti i prokurimit”, ndërsa neni 61.23 thotë se kjo mund të bëhet “vetëm pas marrjes së aprovimit nga Zyrtarit Kryesor Administrativ”. Ndërsa, ndryshimet në sasitë e kontraktuara janë të lejuara +/- 30% te kontratat kornizë.

    Te kontrata “Zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit në Pestovë” prej 69,868 eurove, Auditori thotë se ka pasur ndryshime të sasive të realizuara nëpër disa pozicione, duke rritur/zvogëluar sasinë e kontraktuar apo në disa raste duke mos realizuar fare pozicionet e kontraktuara, por pa ndryshuar çmimin total të kontratës dhe se për këto ndryshime nuk ishin marrë aprovimet e nevojshme nga Zyrtari Kryesor Administariv dhe zyra e prokurimit ashtu siç kërkohet me nenet 61.22 dhe 61.23 të RrUOPP.

    Auditori thotë, se nevoja për ndryshime kishte ardhur për shkak të kërkesës së banorëve lokal për zgjerimin e rrjetit. Ndërsa mos aprovimi i këtyre ndryshimeve ka ndodhur për shkak se menaxheri i projekteve nuk ishte në njohuri për kërkesat ligjore të prokurimit publik lidhur me ndryshimin e kontratave.

    “Ndryshimi i paramasës dhe parallogarisë së kontraktuar pa aprovimin e zyrës së prokurimit dhe Zyrtari Kryesor Administrativ shpërfaq dobësitë në kontrollet e ushtruara nga menaxhmenti i lartë dhe mund të rezultojë që për shkak të realizimit të kontratës me kushte të ndryshuara nuk është përzgjedhur operatori më i lirë”, thotë ZKA në raportin për Komunën e Vushtrrisë.

    Shkelje në certifikimin e pagesave dhe menaxhimin e kontratave

    Në pesë kontrata Auditori ka evidentuar mangësi në certifikimin e pagesave, dhe menaxhimin e kontratave.

    Rregulla financiare Nr. 01/2013 për shpenzimin e parasë publike, nenet 22 deri 26, ndër të tjera përcaktojnë se paraprakisht duhet të bëhet pranimi i mallrave pastaj duhet të bëhet pagesa. Te kontrata “Furnizimi me pajisje për muzeun e qytetit” prej 37,669 euro, sipas Auditorit ishte realizuar pagesa prej 15,000 euro, bazuar në situacionin e parë, fletëdërgesën si dhe raportin e pranimit të gjitha këto të nënshkruara nga menaxheri i kontratës dhe komisioni pranues.

    Mirëpo, përmes ekzaminimit fizik në muzeun e qytetit, është evidentuar se nuk ishte bërë pranimi i mallrave/punëve. “Sipas menaxherit të kontratës, pranimi i mallrave/punëve nuk ishte bërë për këto arsye: ende nuk ishte bërë pranimi teknik i muzeut në të cilin pritej të bëhej furnizimi dhe montimi i pajisjeve, nuk kishte siguri në muze si dhe mungesës së hapësirave për vendosjen e mallrave të blera. Si pasojë, sipas menaxherit të kontratës mallrat kanë qëndruar në depon e OE. Mirëpo bazuar në analizat tona, kjo gjendje ishte për shkak të inicimit të procedurës në fund vit ku nuk ishte bërë vlerësim i mirëfilltë i nevojave për këtë kontratë, si dhe për shkak të shfrytëzimit të mjeteve, të cilat në të kundërtën do të shkonin suficit. Pas përfundimit të auditimit (terrenit), jemi njoftuar nga menaxheri i kontratës se tashmë është bërë furnizimi i pajisjeve të cilat janë vendosur në objektet e dy shkollave të komunës derisa të krijohen kushtet për vendosjen dhe montimin e tyre në muzeun e qytetit”, thotë ZKA.

    Te kontrata “Ndërtimi i sheshit Ahmet Krasniqi në qytetin e Vushtrrisë” prej 93,664 euro, përmes ekzaminimit fizik është evidentuar se pozicioni 1 në kuadër të pjesës D-Punët e veshjeve finale për vendosjen e pllakave të betonit nga gurët natyral nuk ishte realizuar sipas dimensioneve të kontraktuara me kontratë (të kontraktuara ishin këto dimensione: 30*20*12cm ndërsa janë vendosur me dimensionet 60*40*12cm). Përveç kësaj, në kundërshtim me kontratën/projektin, ZKA ka evidentuar se rreth vijës kufizuese të hapësirës së sheshit, pllakat e betonit ishin zëvendësuar me kubëza (kalldrëm vendor) me dimensione 10*10*10cm.

    Te kontrata “Rikonstruimi i hapësirave publike në sheshe (faza II)” prej 50,652 euro, ku pjesë e kësaj kontrate janë rikonstruimi i katër parqeve, dy prej të cilave i Auditori thotë se i ka ekzaminuar fizikisht. Në parkun te shtëpia e Mahmut Agë Gjinollit është evidentuar se te pozicioni E.1, vendosja e kubëzave ishte bërë me dimensione 10*20cm, përderisa të kontraktuara ishin me dimensione 20*20cm. Ndërsa pozicioni F.3 për mbjelljen e drunjëve dekorativ ishte paguar total sasia e kontraktuar prej 40 drunjëve ndërsa ishte realizuar sasia prej 30 drunjëve (mbipagesë 10*20=200 euro). Te parku i Hamamit, është evidentuar se pozicioni C10 për furnizimin dhe vendosjen e skajoreve (32 metra gjatësi prej 160 euro) ishte paguar pa u realizuar fare.

    Te kontratat “Ndërtimi i 12 rrugëve me kubëza betoni” LOT 1 prej 54,953 euro dhe “Ndërtimi i 10 rrugëve me kubëza betoni” LOT 2 prej 84,960 euro, nga ekzaminimi fizik është vejtur nga Auditori se ka ndryshime në kontratë, mirëpo pa ndryshuar çmimin total të kontratave.

    “Përmes ekzaminimit fizik, kemi evidentuar se në disa rrugë nuk ishin vendosur skajoret (të cilat ishin në kontratë), për shkak të specifikave të rrugës (rruga kufizohej me muret e shtëpive të banorëve dhe ishte bërë zgjerimi i rrugëve deri te muret), mirëpo faturimi ishte bërë për skajore sipas kontratës. Sipas konfirmimit të menaxherit të kontratës të këtyre dy kontratave, në 12 rrugë nuk ishte realizuar vendosja e skajoreve për shkak te konfiguracionit të rrugëve i cekur më lartë. Duhet theksuar se te kubëzimi i Rr. “Daut Ymeri” e kontratës LOT 2, ishin vendosur skajoret me dimensione 10/20cm përderisa të kontraktuara ishin me dimensionet 18/24cm. Pas vërejtjeve tona ishte bërë përmirësimi dhe në këtë rrugë ishin vendosur skajoret sipas dimensioneve të kontraktuara”, thotë ZKA.

    Te kontrata “Ndërtimi i urës në fshatin Doberllukë” prej 99,129 euro është evidentuar se pozicioni 3.513 në specifikacionin teknik është rritur sasia nga 83m³ në 90m³ apo nga 4,980 euro në 5,400 euro duke rezultuar me mbi pagesë prej 420 euro. “Duhet theksuar se pas evidentimit tonë kjo ishte përmirësuar dhe ishte bërë kthimi i mjeteve në buxhetin e komunës. Ky lëshim ishte për shkak të mungesës së kontrolleve të ushtruara nga çertifikuesi dhe menaxheri i kontratës”, thuhet në raport.

    Të gjitha këto ndryshime në realizimin e kontratave janë bërë pa aprovimet e Zyrtarit Kryesor Administrativ dhe zyrës së prokurimit ashtu siç kërkohet me ligjin dhe rregullat/udhëzuesin për prokurimin publik.

    Sipas Auditorit, ekzekutimi i punëve në kundërshtim me paramasën dhe parallogarinë e kontraktuar pa aprovimin e zyrës së prokurimit dhe Zyrtarit Kryesor Administrativ shpërfaq dobësitë në kontrollet e ushtruara nga menaxhmenti i lartë. Kjo mund të ndikojë në cilësinë e punëve të kryera si dhe mund të rezultojë që për shkak të ndryshimit të kushteve të kontratës nuk është përzgjedhur operatori më i lirë. “Ndërsa pagesat për punë të pa kryera mund të rezultojë me dëmtim të buxhetit dhe keqpërdorim të parasë publike”.

    Shkelje në procesin e vlerësimit të tenderit

    Në dy aktivitete të prokurimit Auditori ka evidentuar se nuk ishin respektuar kërkesat e përcaktuara në njoftimin për kontratë/dosjen e tenderit për kapacitetin teknik dhe profesional, ku në rast të grupit të OE, ishte kërkuar që lideri i grupit të ketë jo më pak se 60% të vlerës së përcaktuar të kontratave të ngjashme të përfunduara në tre vitet e fundit.

    Kjo ishte evidentuar te:Aktiviteti i prokurimit “Sigurimi fizik i objekteve komunale“15 me vlerë 532,958 euro. Vlera e kërkuar e projekteve të ngjashme, të përfunduara në tre vitet e fundit ishte jo më pak se 700,000 euro përderisa lideri i grupit ka ofruar dëshmi për kontratat e ngjashme prej 219,927 euro apo 31% dhe

    Aktiviteti i prokurimit “Zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit” me vlerë të parashikuar 1,800,000 euro. Vlera e kërkuar e projekteve të ngjashme, të përfunduara në tre vitet e fundit ishte jo më pak se 2,500,000 euro, përderisa lideri i grupit ka ofruar dëshmi për kontratat e ngjashme prej 1,334,049 euro apo 53%.

    “Mospërfillja e kërkesave të dosjes së tenderit është në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik dhe mund të rezultojë me përzgjedhje të ofertuesve të pa përgjegjshëm duke shkelur parimin e trajtimit të barabartë të tenderuesve”, ka shkruar Auditori në raport.

    Mangësi në menaxhimin e kontratave

    Neni 61 i Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik (RrUOPP), përcaktohen përgjegjësitë e menaxherit të projektit. Auditori ka evidentuar dy raste në të cilat pagesat janë ekzekutuar në mungesë të raporteve të menaxherëve të kontratave, përkatësisht: Pagesa prej 4,736 euro për drekë zyrtare për përmbylljen e vitit 2019, të kontratës “Shërbime Hoteliere për A.K”. Mungesa e raportit është arsyetuar me volumin e madh të punëve të fund vitit; dhe

    Pagesa prej 1,120 euro sipas kontratës së AQP-së për “Furnizimin me karburante për nevoja të A.K” për muajin qershor për QKMF. Mungesa e raportit ishte si pasojë e mungesës së njohurive së menaxherit të kontratës lidhur me kërkesat ligjore për menaxhimin e kontratës.

    Sipas, auditorit, mungesa e raporteve nga menaxherët e kontratave, mund të ndikojë në menaxhim/monitorim të dobët të kontratave si dhe mund të rezultojë me pagesa të pa rregullta.

    Pos shkeljeve në tender, Auditori ka gjetur edhe disa shkelje tjera në Komunën e Vushtrrisë.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Për të hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare te Dheu i Bardhë pritjet zgjasin 60-70 minuta, për momentin. E në Jarinje ato...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Pas vendimit që në Shqipëri të mbyllet Tik-Toku, një gjë e tillë po kërkohet edhe në Kosovë. Këtë dëshirë e shprehën prindërit,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Të tjera
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga trupat e NATO-s që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022. Zëri i Amerikës vizitoi...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Një person i moshës 68-vjeçare është gjetur i pajetë në Vlorë. Sipas policisë, ai është rrahhur me sende të forta, raporton Euronews.al...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Prej shumë vitesh Irlanda njihet si një strehë e gjigandëve amerikanë të teknologjisë, duke ndërtuar qendra të shumta të dhënash që konsumojnë...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka zhvilluar takim me grupin parlamentar ‘Bllokun e Progresit’ i kryesuar nga shefi i...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Një zyrtar gjerman ka thënë se policia ka pasur kontakte më parë me të dyshuarin e akuzuar për sulmin në një turmë...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Driloni ka refuzuar t’i përgjigjej një pyetjeje që i ka bërë Drenusha atij për Sarën. Ajo e pyeti nëse i pengon pëlqimi...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.