
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, hiç më pak se 24 milionë euro është rënia e të hyrave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), gjatë këtij 4 mujori.
Drejtori i këtij institucioni, Ilir Murtezaj, në një intervistë për “Front Online”, ka thënë se pandemia përveç që ka ndikuar në aspektin e përgjithshëm të zhvillimit ekonomik, e njëjta sipas tij, ka sjellë ndikim të konsiderueshëm edhe në rënie të të hyrave tatimore në këtë institucion.
Për sa i përket të hyrave tatimore, Murtezaj ka theksuar se deri më sot, shifra e tyre ka shkuar mbi 180 milionë euro.
“Deri sot të hyrat e grumbulluar nga ATK-ja janë mbi 180 milion euro dhe nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rezulton që kemi një rënie të hyrave për rreth 24 milionë euro”, ka theksuar ai.
Edhe pse viti filloi mirë për një ndër institucionet më mbushëse të buxhetit të Kosovës, sipas Murtezajt tani ka mosrealizim të të hyrave rreth 47 milionë euro. Kjo për shkak të pandemisë Covid-19.
“Nëse e bëjmë një krahasim me trendin në të cilin kemi qenë deri me datën 18 mars, ku kemi qenë në një trend jashtëzakonisht pozitiv të realizimit të të hyrave, me tejkalim të të hyrave prej 11.2 % në raport me vitin paraprak, dhe në raport me planin e punës 3.62%, atëherë mund të konstatohet që në raport me këtë trend që kemi pasur kemi një mosrealizim të të hyrave rreth 47 milionë euro”, ka thënë Murtezaj pwr “Front Online”.
E gjithë kjo rënie e të hyrave, sipas Murtezajt ka ardhur si rezultat i vendimeve të marra nga Ministria e Financave, për zgjatje të afatit të pagesave.
“Duhet të potencojë edhe faktin se kjo ka rrjedh si rezultat i vendimeve të Ministrisë së Financave për zgjatje të afatit të pagesave, si dhe keqpërdorimit eventual të disa nga bizneseve që përkundër që kanë zhvilluar aktivitet normal. Ndoshta kanë pasur edhe rritje të të hyrave në qarkullimin e tyre e kanë keqpërdorur situatën duke i deklaruar tatimet por duke mos i paguar”, ka thënë tutje ai pwr “Front Online”.
Grumbullohen 50 milionë euro borxhe ndaj ATK-së
Vlera e borxhit tatimor në ATK tani ka arritur në 50 milion euro. Drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj në një intervistë për “Front Online”, ka thënë se ky borxh është rritur pas mos pagesës së tatimit nga bizneset.
“Mund të konstatojmë që kemi një rritje të stokut të borxhit në vlerë rreth 50 milionë euro në raport me gjendjen që e kemi pasur me datën 1 janar të këtij viti”, ka thënë ai, për “Front Online”.
Megjithatë ai pohoi se janë të vetëdijshëm edhe për gjendjen financiare në të cilën gjenden bizneset.
“Ne jemi të vetëdijshëm për gjendjen që janë bizneset, në gjendjen e rëndë ndoshta financiare. Një pjesë e tyre mund të jenë ndoshta më komod për shkak të aktivitetit të tyre që kanë pasur dhe në këtë drejtim ne si institucion jemi duke u ri-organizuar, gjithnjë me qëllim që të ruajmë sistemin tatimor, funksionalitetin e sistemit tatimor dhe të mos e lejojmë që të devijojmë”, ka thënë Murtezaj.
Murtezaj: Nuk do të ketë tolerancë për bizneset që kanë likuiditet financiar
Për bizneset që janë në të vërtetë në vështirësi financiare, Murtezaj ka konfirmuar që do t`u ofrohen lehtësira.
“Gjithnjë në përputhje me ligjet tatimore, na jepet mundësia neve si institucion që t`i japim hapësirë dhe mundësi bizneseve të cilat kanë vështirësi financiare që të parashtrojnë kërkesë për marrëveshje dhe ne bazuar në kriteret e përcaktuara me ligj dhe me argumentet që sjellin bizneset do t`u krijojmë ato mundësi bizneseve që vërtetohet që në të vërtetë kanë vështirësi financiare dhe që s`kanë likuiditet”, ka potencuar Murtezaj.
E për ato që kanë likuiditet financiar, drejtori i ATK-së, tha se nuk do të ketë tolerancë.
“Ndërsa ato të tjerat që konstatohet që kanë likuiditet, nuk do të kemi toleranca të tilla dhe do të vazhdojmë me insistimit tonë që t`i mbledhim ato të hyra”, ka theksuar ai për “Front Online”.