
Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë, me anë të së cilës ndaj të pandehurit Mërgim Limani ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, për shkak të veprave penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Këtë masë të sigurisë, Gjykata Themelore në Prishtinë, të pandehurit ia kishte caktuar për periudhën kohore 29 prill deri më 29 maj.
Kundër këtij aktvendimi, ankesë kishte ushtruar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Jeton Osmani, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.
Ai ka propozuar që të pandehurit t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe e njëjta t’i zëvendësohet me ndonjë masë tjetër alternative nga neni 173 i KPP-së.
Kurse, Prokuroria e Apelit kishte propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e avokatit mbrojtës, ndërsa aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.
Gjykata e Apelit ka gjetur se ankesa nuk është e bazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas Apelit, në ankesë mbrojtja pretendon se nuk është plotësuar kushti themelore për caktimin e paraburgimit, e që është ekzistimi i dyshimit të bazuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale.
“Kjo ngase sipas tij i mbrojturi i tij, nuk ka dashur t’ a vras askënd, por ka gjuajtur më armë për ta larguar rrezikun që i kanosej nga vetja. Ndërsa vepra nga neni 173 i KPRK-së, sipas tij kryhet vetëm me dashje. Prandaj thekson se nuk janë plotësuar elementet e veprës penale e cila i ngarkohet. Mbrojtësi thekson se nuk janë plotësuar as kushtet mbi bazat e veçanta për të cilat është caktuar paraburgimi. Kjo ngase nuk ka rrezik se i pandehuri mund të ikë, duke qene se i dihet vendbanimi, është paraqitur vullnetarisht në polici, e ka dorëzuar armen, pastaj nuk ka rrezik që ai te ndikoj në prova ose dëshmitarë ose ta përsërisë veprën penale”, thuhet në aktvendim.
Tutje, thuhet se sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet e mësipërme ankimore janë të pabazuara.
Sipas Apelit, në aktvendimin e ankimuar, gjyqtari i procedurë paraprake, drejt ka arsyetuar dyshimin e bazuar se i pandehuri e ke kryer veprën penale për të cilën dyshohet, dyshim ky që rrjedhë nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë, sikurse janë: deklarata e palës se dëmtuar N.C, deklarata e dëshmitarit B.K, deklarata e vet të dyshuarit, raporti mjekësor si dhe shkresat tjera nga dosje penale të cilat janë më se te mjaftueshme për qëllimin e kësaj faze, e që është sigurimi i zhvillimit të drejtë dhe pa pengesa të procesit hetimor.
Prandaj, Gjykata e Apelit ka konsideruar se gjykata e shkalles se parë ka vepruar drejtë kur atij ia ka caktuar masën e paraburgimit, konform nenit 187 paragrafi1, nën paragrafi 1 të KPP-së, pasi që është plotësuar kushti qenësor për caktimin e kësaj mase e që është dyshimi i bazuar.
“Gjykata e Apelit, vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë, kur të pandehurit ia ka caktuar masën e paraburgimit, mbi bazën e nenit 187 par. 1 nën par.1 dhe 2, pika 1.2.1 e KPP-së, ngase ekzistojnë rrethana që e bëjnë të besueshme friken se me gjetjen e të pandehurit në liri, ai do të mund të ik ose arratiset, pasi që i njëjti dyshohet për vepra penale të rëndë dhe është i vetëdijshëm për rrezikun që i kanoset, në rast se shpallet fajtor. Aq më tepër kur nga shkresat e lendes rezulton se ai fillimisht i është shmangur procedurës penale, për t’u dorëzuar më vonë”, thuhet në vijim të aktvendimit.
Gjykata e Apelit vlerëson se ka bazë ligjore për caktimin e masës së paraburgimit konform nenit 187, paragrafit 1, nën paragrafit 1 dhe 2, pika 1.2.2 e KPP-së, ngase ka arsye për të besuar se ai mund të ndikoj në të dëmtuarin ose dëshmitarë, ose të dëmtuar dhe në këtë formë te pengoj rrjedhën normale të procedurës penale.
Konkludimet e gjykatës së shkallës së parë lidhur më këtë pikë, thuhet se i pranon dhe i mbështet në tërësi si ligjore dhe të arsyeshme edhe kjo gjykatë.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se ekzistojnë edhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit edhe për shkak se nisur nga pesha e veprës penale, mënyrës dhe rrethanave në të cilat është kryer ajo, si dhe karakteristikave personale të pandehurit, fakti se ai ka manifestuar shkallë lartë të këmbëngulësisë në kryerjen e veprës penale dhe se edhe me parë ka qenë i përfshirë në kryerjen e disa veprave penale, tregon rrezikun se me gjetjen e tij në liri, mund ta përfundoj veprën penale të ngelur në tentativë.
“Prandaj, caktimi i paraburgimit nenin 187 par.1 nënpar.1.1 e 1.2, pika 1.2.3 të KPP-së, është i bazuar dhe i arsyeshëm si dhe i nevojshëm për shkak të sigurimit të prezencës se saj , me qëllim të zbatimit të plotë dhe të suksesshëm të procedurës penale, por edhe parandalimit të kryerjes se ndonjë kryerjes se ndonjë vepre të re penale”, thotë Apeli.
Për arsyet e lartcekura, sipas shkallës së dytë caktimi i masës në fjalë konsiderohet i domosdoshëm, me qëllim të zbatimit me sukses të procedurës penale.