×
  • Lajme
  • Lajme

    Ahmeti: Është koha që një shqiptar të udhëheqë Qeverinë e Maqedonisë së Veriut

    FrontOnline
    04 Korrik 2020

    Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se kandidati i kësaj partie për kryeministër, Naser Ziberi, do të jetë kandidat mbipartiak. Ahmeti u shpreh i bindur se partia e tij do të dalë fituese në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut dhe shtoi se qeveria e re duhet të drejtohet nga një kryeministër shqiptar.

    Radio Evropa e Lirë: Zoti Ahmeti, keni dalë me idenë që qeveria e ardhshme e Maqedonisë së Veriut të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar. Si mendoni ta realizoni këtë ide, ndërkohë që numrat për të marrë mandatin për formimin e qeverisë, partia e juaj e ka shumë të vështirë dhe pothuajse të pamundur që t’i sigurojë?

    Ali Ahmeti: Qeveritë ndërtohen mbi bazë të marrëveshjeve, programeve zgjedhore. Ne si parti politike dalim dhe garojmë dhe më 15 korrik do të presim rezultatet. Dhe nëse ne jemi fitimtarë në bllokun politik shqiptar, e gjithë çështja do të varet se si ne do të negociojmë bisedojmë më 16 korrik.

    Qeveritë në Maqedoninë e Veriut janë qeveri politike ku ulen dhe diskutojnë partitë për formimin e së njëjtave. Kemi shumë raste, jo vetëm këtu në rajon, në Ballkan, por edhe në Evropë që kryeministër i vendit zgjidhet nga një parti që ka më pak mandate. Ne nuk pretendojmë se do të kemi më shumë mandate as sa Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë as sa VMRO-DPMNE, por ne pretendojmë se do të jemi fitues në kampin politik shqiptar dhe qeveria që do të ndërtohet, do të ndërtohet mbi bazë të negociatave.

    Radio Evropa e Lirë: Motoja juaj në këto zgjedhje është “Tani është koha për kryeministër shqiptar”. Oponentët tuaj politikë, si në kampin shqiptar ashtu dhe atë maqedonas, thonë se këtë e bëni për qëllime politike. Kurse ju insistoni se pikërisht tani është koha për realizmin e kësaj ideje. Pse?

    Ali Ahmeti: Pse mos insistojmë? Unë pres një përgjigje nga ata që thonë se pse ne si Bashkim Demokratik për Integrim kërkojmë kryeministër shqiptar dhe jam kureshtar të dëgjoj arsyet e të tjerëve të cilët kanë dalë kundër kësaj ideje. Dhe me kënaqësi dhe padurim i pres arsyet që mund t’i japin ata.

    E drejtë legjitime po, qytetar i këtij vendi po, të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shtetin integritetin e shtetit, sovranitetin e shtetit, të ardhmen e shtetit, të gjitha këto i ka (Naser Ziberi) si një kandidat për kryeministër shqiptar dhe ku është arsyeja, cila është pengesa që ky vend të mos drejtohet edhe nga një shqiptar.

    Çka ndodhi me Maqedoninë që u drejtua Ministria e Mbrojtjes nga një shqiptar? Përkundrazi u rrit besimi edhe më shumë nga komuniteti maqedonas te komuniteti shqiptar. Çka ndodhi me Maqedoninë që u drejtua gati se një vit e gjysmë Ministria e Punëve të Brendshme nga një shqiptar në kohë kur u desh që të menaxhojë me situata shumë kritike në këtë vend, pa mbajtur anë, drejtoi një proces shumë delikat.

    Çka i ndodhi Maqedonisë me zgjedhjen e një shqiptari për kryetar të parlamentit? Ai ka drejtuar punët për mrekulli dhe kam dëgjuar vlerësime shumë të mëdha edhe nga pozita, por edhe nga opozita për punën që ka bërë kryetari i parlamentit. Përse tani të mos jetë një kryeministër shqiptar? Që ai si kryeministër të marrë përgjegjësi. Edhe ne jemi ata që i dalim zot këtij shteti edhe ne jemi shtetas të këtij shteti, ky është shteti ynë ky është atdheu ynë dhe duam që të demonstrojmë aftësitë tona për drejtimin e këtij shteti.

    Radio Evropa e Lirë: Zoti Ahmeti, çka është ajo më thelbësorja që do t’i ofroni elektoratit me kandidaturën e zotit Naser Ziberi për kryeministër të shtetit, që qytetarët t’ua besuar votën?

    Ali Ahmeti: E para, më duhet të theksoj se kandidati për kryeministër shqiptar nuk është i Bashkimit Demokratik për Integrim. Ne kemi bërë sa e sa konsultime me shoqërinë civile, me pjesën akademike, me ekspertë të fushave të ndryshme. Unë personalisht kam pasur mbi dhjetë takime me njerëz intelektualë të fushave të caktuara dhe në fund arritëm që të bëjmë bisedë edhe me kandidatin për kryeministër, i cili u bind se arsyeja është e qëndrueshme, se është mjaft e fortë dhe pas kësaj pranoi të jetë në këtë garë.

    Por, njëherësh ai (Naser Ziberi) ka përkrahjen edhe të nëntë kandidatëve me të cilët unë kam biseduar për të hyrë në garë (për kryeministër shqiptar), por për arsye të ndryshme –pasi secili nga ata kishte një arsye se përse nuk mund të hyjë në këtë garë, për çka unë shfaqa mirëkuptim dhe aspak hidhërim, persona këto që janë personalitete të forta të shqiptarëve që kanë kontribuar në fushën e arsimit, shëndetësisë etj. Por, të gjithë e kanë përkrahur idenë dhe kanë thënë se do e mbështesin kandidatin për kryeministër shqiptar.

    Sigurisht se do të bëjë publik programin si kandidat për kryeministër në fushën e ekonomisë, të arsimit, shëndetësisë dhe të gjitha fushat e tjera të cilat do të jenë prioritet tona. Po sigurisht se theks të veçantë do të kenë dallimet që kemi pasur ne për këto 18 vjet në ca fusha me LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në.

    Sigurisht se prioritet do të jenë çështjet që do vendosen në tavolinë, me këtë rast do të theksoja decentralizmin. Për decentralizmin tash e 18 vjet ekzistojnë dallimet mes Bashkimit Demokratik për Integrim nga njëra anë, dhe LSDM-së e VMRO-DPMNE-së nga ana tjetër.

    Ne jemi për decentralizmi të mirëfilltë, ne jemi që pushteti të zbretë nga lartë poshtë. Nga lartë le të jenë kompetencat e larta të shtetit, siç është politika e mbrojtjes, politika e jashtme e sigurisë, por ekonomizimi me pushtetin vendor duhet t’u jepet komunave. E theksova kjo (çështja e decentralizmit) është një nga pikat e këtij programi.

    Gjithashtu dallime të mëdha kemi dhe në fushën e jurispodencës, do të thotë në çështjet e drejtësisë, ne insistojmë për vetting në të gjitha segmentet, nga politikanët, kryetarët e komunave, ministrat funksionarë etj.

    Ne kemi kërkuar nga Prokuroria Speciale atë kohë, Prokuroria e Përgjithshme që të hapin hetim për Bashkimin Demokratik për Integrim nga viti 2002 deri në momentin që votohet ligji, me qëllimin më të mirë që t’i kontribuojmë shoqërisë, që mos t’u besohet lajmeve të rreme, shpifjeve, vetëm kështu mund të kemi një shoqëri të shëndetshme. Të gjitha këto do të përfshihen në qeverisjen e ardhshme të vendit.

    Radio Evropa e Lirë: Zoti Ahmeti do të ndalem edhe pak këtu. Idenë që qeveria e ardhshme të drejtohet nga një kryeministër shqiptar e keni cilësuar si ide të madhe që hap rrugë për të ardhmen, por kandidati për kryeministër pas të cilit qëndroni në këto zgjedhje, vetëm pak ditë para se të bëni publike kandidaturën e tij për kryeministër, për Radion Evropa e Lirë zoti Naser Ziberi idenë për kryeministër shqiptar e ka cilësuar këtë ide si joatraktive.

    Ali Ahmeti: Sigurisht se në mungesë të informatave më të detajuara e ka thënë këtë. Unë kam biseduar me të gati se dy ditë dhe ia kam shpjeguar tërë idenë dhe pas kësaj zoti Naser Ziberi e ka përqafuar këtë ide, e cila nuk është e pamundur të bëhet realitet, kjo ide qëllimmirë. Dhe më duhet të them se ai i ka hyrë me përgjegjësi të plotë kësaj ideje.

    Çdo njeri kur dëgjon një ide, të cilën nuk e ka të përpunuar mirë, nuk e ka të shpjeguar, sigurisht se ka rezerva dhe ato rezerva tanimë nuk ekzistojnë as te zoti Ziberi, po as te njerëzit me të cilët kam folur për kandidatë të mundshëm për kryeministër. Unë jam idealist dhe besoj se çdo gjë e mirë arrihet, por duhet të kesh besim në vetvete, në komunitetin dhe në bashkëpunëtorët. Unë besoj në veten time, besoj në bashkëpunëtorët e mi dhe besoj në komunitetin.

    Gjithçka që kemi thënë, mbase mund të kemi pasur vonesa për sa i përket realizmit, por e kemi bërë në fund. Mund të punohej edhe më shumë, por kemi qenë gjithmonë të sinqertë dhe kemi sqaruar se pse kaq kemi mundur t’i shtyjmë proceset përpara.

    Radio Evropa e Lirë: Mbeteni ende në qëndrimin se Bashkimi Demokratik si parti, nëse del fituese në zgjedhje, do të bëjë koalicioni me atë parti maqedonase e cila gjithashtu do të dalë fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut:

    Ali Ahmeti: Tani nuk paragjykoj, do të presim 15 korrikun dhe do të shohim se si do të pasojnë ngjarjet.

    Radio Evropa e Lirë: Zoti Ahmeti pak më lartë theksuat se prioritet për ju mbetet pavarësia e sistemit gjyqësor, ndonëse duke qenë më shumë se një dekadë e gjysmë në pushtet, ky dikaster disa herë është drejtuar nga kuadri i partisë suaj. Pse nuk bëtë reformat, pse ende shqiptarët dyshojnë në procese të montuara?

    Ali Ahmeti: Shihni, tani duhet parë se Gjyqësori dhe Ministria e Drejtësisë janë të ndara, do të thotë janë të pavarura. Gjykatat janë të pavarura dhe ne kemi qenë ata të cilët kemi shfaqur mosbesim ndaj disa proceseve dhe kemi kërkuar që këto procese të monitorohen edhe nga ndërkombëtarët. Do të thotë procesi gjyqësor i Kumanovës, procesi gjyqësor i Monstrës, dhe një proces tjetër ku akuzohen disa shqiptarë për vrasjen plagosjen e disa njerëzve të shërbimeve.

    Ne kemi kërkuar rrugë institucionale zyrtare nga Brukseli nga Uashingtoni që ata të inkurajojnë, do të thotë përmes linjave të tyre, gjyqësinë, prokurorinë, do të thotë përsëritjen e këtyre gjyqeve sepse ne nuk kemi qenë të bindur se është bërë një gjykim i drejtë. Përgjigja zyrtare ka qenë se edhe Uashingtoni, por edhe Brukseli besojnë në autoritetin dhe punën që bën OSBE-ja. Ne insistojmë që këto procese të përsëriten dhe monitorimi të bëhet nga komuniteti ndërkombëtar.

    Radio Evropa e Lirë: Në zgjedhjet e fundit, partia e juaj shënoi rënie për sa i përket numrit të deputetëve, nga 19 në dhjetë deputetë. Nëse shënon rënie edhe kësaj radhe, mendoni të largoheni nga drejtimi i partisë?

    Ali Ahmeti: Unë gjithmonë, për çdo cikël zgjedhor kam thënë se përgjegjësia bie mbi mua. Dhe unë di të jap llogari dhe t’i qëndroj fjalës së dhënë.

    Radio Evropa e Lirë: Zoti Ahmeti, më konkretisht a do të jepni dorëheqje nëse humbni në zgjedhje?

    Ali Ahmeti: Dorëheqja ime është shumë e vogël karshi asaj nëse humb Bashkimi Demokratik për Integrim.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Hykmete Bajrami e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar ndaj ministrit Murati i cili dje foli rreth subvencionimit të faturave të energjisë...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se Starlink është funksional tani edhe në territorin e Kosovës. Ai ka thënë...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Sigurim të kushteve të dinjitetshme të punës, çdo vend pune me kontratë, kontribute pensionale të paguara dhe jo më shumë se 40...
    Të tjera
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump ka emëruar producentin televiziv britanik Mark Burnett si të dërguarin e tij të posaçëm në...
    Lifestyle22 Dhjetor 2024
    Në kuadër të vapës përvëluese të verës dhe temperaturave të larta, për shumicën dërrmuese përdorimi i klimës është bekim. Po ashtu edhe...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Një numër i madh i bashkëatdhetarëve po vijnë në Kosovë për t’i kaluar festat e fundvitit në gjirin e tyre familjar. E...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Sot mbi Kosovë do të mbajë një mot i vranët, por do të ketë edhe intervale me diell. Temperaturat ditën e diele...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, thotë se është nevojshme që të ketë një format të ri të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Në natën e tretë të Fest 63, në ‘Natën e Nostalgjisë’ në skenën e Festivalit është krijuar një emocion i veçantë, kur...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.