
Që nga fillimi i pandemisë Covid-19 në Kosovë, në Komunën e Obiliqit janë testuar 20 mostra të personave që kanë dyshuar që janë prekur me këtë virus, raporton “Front Online”.
Megjithëkëtë deri me tani kjo komunë ka vetëm një rast të konfirmuar me virusin COVID-19. Ky rast i cili konfirmua mbrëmjen e së shtunës, ishte një punonjëse e një spitali privat në Prishtinë.
E për gjendjen e saj dhe të personave me të cilët ka pasur kontakt e infektuara, për “Front Online” ka folur drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Vlora Kabashi.
“Gjendja e të infektuarës në komunën tonë është shumë e qetë dhe stabile. Epidemiologia jonë e cila është në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare është vazhdimisht në kontakt me të infektuarën dhe me familjen e saj”, ka thënë ajo.
Kabashi ka dhënë detaje edhe për familjen e së infektuarës dhe për testet që u janë bërë atyre.
“Familja e saj prej 4 anëtaresh janë testuar dje dhe të gjithë kanë rezultuar negativ. Mostra të reja për testim nuk kemi për momentin”, ka thënë ajo.
Për sa i përket të infektuarës, e para e shëndetësisë në këtë komunë ka theksuar se e njëjta nuk ka pasur simptoma të virusit.
“Kjo është një punëtore e një spitali privat, dhe si duket është infektuar atje. Edhe pse nuk ka paraqitur asnjë simptomë në virusit. Ajo me familjen e saj janë në izolim. Jemi vazhdimisht në kontakt me ta”, ka thënë ndër të tjera Kabashi.
Drejtoresha e Shëndetësisë në Obiliq ka njoftuar se e infektuara dhe familja e saj janë nga fshati Llazarevë e Obiliqit.
“Ajo është nga Obiliqi e një fshati që quhet Llazarevë. Për momentin nuk kemi ndonjë njoftim që duhet të karantinohet lagjja apo fshati sepse e kemi vetëm një rast dhe pasi që edhe testimet ndaj personave tjerë kanë dal negativ atëherë nuk ka nevojë që të karantinohet fshati”, ka konfirmuar Kabashi për “Front Online”.
Ndryshe, dje në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 200 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Prej këtyre mostrave të testuara, 14 kanë dalë pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti nga Gjilani, Prizreni, Peja, Vushtrria dhe Prishtina.
Deri tani në gjithë vendin janë konfirmuar 884 raste me Coronavirus. Prej këtij numri, 655 persona janë shëruar, derisa 28 kanë vdekur./Front Online/