
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar përgjegjësi nga kryemininistri në detyrë, Albin Kurti, ministri Arben Vitia dhe u.d ministri Xhelal Sfeçla, për vdekjen tragjike të 26 vjeçarit nga Gjilani sot tek Konviktet.
Deputetja Deliu, ka kërkuar sqarime pse pikërisht të njejtit persona që po udhëheqin institucionet vendore, kanë liruar aktivistë të Vetëvendosjes nga karantinimi.Tutje, ajo thotë se “Ku është morali i kësaj qeverie? Ku është barazia e drejtësia që e proklamuan? Nga shkelës të Kushtetutës përfunduan edhe në shkelës të drejtave të njeriut!”.
Shkrimi i plotë i deputetes Blerta Deliu-Kodra
Kryeministri i shkarkuar Albin Kurti dhe dy vartësit e tij, ministri Arben Vitia dhe u.d ministri Xhelal Sfeçla duhet të japin përgjegjësi dhe sqarime para gjithë qytetarëve për vdekjen tragjike të 26 vjeçarit nga Gjilani sot tek Konviktet.
Sipas informacioneve të deritashme, djaloshi nga Gjilani i cili ka ardhur nga diaspora, ka kërkuar që të shkojë në vetizolim, ndërsa nuk është lejuar dhe është dërguar detyrueshëm në karantinë.
Nga ana tjetër, qeveria Kurti, me vendime psikiatrike ka liruar nga karantina aktivistë e militantë të Vetëvendosjes.
Ku është morali i kësaj qeverie?
Ku është barazia e drejtësia që e proklamuan?
Nga shkelës të Kushtetutës përfunduan edhe në shkelës të drejtave të njeriut!