
Qyteti i Prizrenit radhitet ndër qytetet me më së shumti raste me virusin COVID-19.
Me 5 rastet e konfirmuara mbrëmë nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike, numri i të infektuarve me Coronavirus në këtë qytet ka arritur në 61, raporton “Front Online”.
Drejtori i Shëndetësisë në këtë Komunë, Visar Shehu për “Front Online”, ka konfirmuar se në këtë qytet deri më sot janë shëruar 15 persona, në mesin e tyre edhe personat që u infektuan të parët.
“Numri i të shëruarave deri më tani është 15 gjithsej. Vetëm dje janë shëruar 12 të infektuar, pas ritestimit të dytë. Ndërkohë pardje është shëruar një person. Ndërsa 2 rastet e para janë shëruar më herët”, ka thënë Shehu për “Front Online”.
Në Klinikën Infektive në QKUK nuk ka asnjë qytetar të Prizrenit duke u trajtuar për Coronavirus. Kjo pasi që sipas Shehut gjendja e të prekurve është stabile dhe të gjithë ata gjendjen në vetizolim në shtëpitë e tyre.
“Gjendja e të infektuarve është e mirë. Pjesa më e madhe e tyre janë duke u trajtuar në shtëpi, në vetizolim. Faktikisht të njëjtit nuk kanë nevojë për hospitalizim. Pardje e kemi transportuar një person që ishte duke u trajtuar në klinikën Infektive. Tashmë ai është në shtëpi sepse është parë e nevojshme që nuk ka nevojë për hospitalizim. Edhe pse vazhdon që të jetë akoma me Coronavirus, gjendja e tij është e mirë”, ka theksuar Shehu.
E si pasojë e Coronavirusit 2 persona nga ky qytet nuk jetojnë më.
“Totali i të infektuarve në komunën e Prizrenit është 61. Fatkeqësisht dy të prekur kanë ndërruar jetë dhe 15 tashmë janë të shëruar”, ka thënë ai.
Në ndërkohë Shehu ka dhënë detaje edhe mbi 5 rastet e reja të konfirmuara mbrëmë më virusin COVID-19 në këtë qytet.
“Sot janë marr mostra të reja por nuk e di se sa janë marrë. Dje kemi pasur edhe 5 raste të reja. Tre prej tyre kanë qenë të hemodializës dhe 2 tjerë familjarë të tyre”, ka thënë Shehu për “Front Online”.
Në total në Kosovë sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik, me virusin COVID-19, janë prekur 780 persona. Prej tyre 201 janë shëruar teksa zyrtarisht janë regjistruar edhe 22 vdekje./Front Online/