
Lëvizja Vetëvendosje së fundmi ka dështuar që të ofroj emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re tek presidenti i vendit Hashim Thaçi. Ka qenë ky i fundit ai i cili dje bëri bashkë në një tryezë diskutimi të gjithë liderët e partive politike në vend, për të folur rreth qëndrimeve të tyre, për sa i përket formimit të qeverisë së re. Me përjashtim të VV-së, të tjera parti njëzëri u deklaruan kundër zgjedhjeve të reja.
Në ndërkohë sot veçse u bë zyrtar emri i kandidatit për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo që pritet të hyjë në koalicion edhe AAK-në, AKR-në, Nismën dhe pakicat për të formuar qeverinë. Këtij koalicioni pritet t`i prijë Avdullah Hoti, emri i të cilit së shpejti do t`i dërgohet presidentit të vendit me shkrim për ta caktuar zyrtarisht edhe si mandatar për formim të qeverisë.
Në bazë të afateve kohore përllogaritet që 6 maji është afati i fundit për formimin e qeverisë. Këtë gjë e ka deklaruar edhe politologu Ramush Tahiri.
“Me 5 ose 6 maj i bie më së largu që të formohet Qeveria e re. Isa Mustafa sot tha që Qeveria e re do të formohet gjatë muajit prill, sepse veçse kanë biseduar me partnerët e koalicionit. Janë marr vesh për parimet dhe janë marr vesh që t`i kenë 15 ministri”, ka thënë Tahiri.
Pjesën e ministrive që i kanë takuar VV-së, sipas Tahirit pritet t`i marrin partnerët e koalicionit.
“Duket që pakicat nuk do t`i ndërrojnë dhe se të njëjtit do të mbesin. LDK-ja pjesën më të madhe të ministrave nuk do t`i ndërroj. Dhe nëse partitë e tjera që pritet të hyjnë në koalicion si Aleanca, AKR-ja dhe Nisma janë pajtuar për koalicion ministritë e VV-së do t`u kalojnë atyre dhe qeveria mund të krijohet menjëherë në javën tjetër.”, ka thënë ai./Front Online
Tahiri: Qeveria e re formohet javën e ardhshme, Kushtetuesja do t`i hedh poshtë kërkesat e VV-së