
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes disa intervistave për media ndërkombëtare, ka akuzuar përfaqësuesin special në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, se ka ndërhyrë në çështje të brendshme të Kosovës, duke e rrëzuar qeverinë që udhëhiqej nga ai.
E këtë deklarim të Kurtit, nuk e ka mirëpritur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra.
Në një bisedë për Gazeta Blic, Deliu, ka thënë se nuk duhet lejuar asnjë lideri kosovar, që ta sulmojë ShBA-në, duke shtuar se është absurde që të sulmohet për sabotim të demokracisë, shteti më demokratik në botë.
“T’i sulmosh SHBA-të për sabotim të demokracisë, për veprime diversive ndaj funksionimit demokratik të një shteti, është absurditet që mund të dëgjohet vetëm nga liderët, të cilët në hartën e lirive dhe të drejtave themelore (fundamenti i një shoqërie demokratike) gjithmonë ngjyrosin me të zezë vendet e tyre”, ka thënë Blerta Deliu-Kodra.
“Kosova nuk do të tolerojë asnjë lider të na katandis në hartën e tyre të zezë, ku atyre u siguron pushtet autoritar”.
Ajo ka shtuar se Kurti është i dyshimtë, teksa thotë se po i sulmon ShBA-të në tentimin e kësaj të fundit për zgjidhje të konfliktit me Serbinë.
“T’i akuzosh SHBA-të për angazhimin e tyre në zgjidhjen e konfliktit me Serbinë që po e mban peng përmbylljen e subjektivitetit tonë ndërkombëtar dhe faktikisht hapjen e vendit tonë ndaj perspektivave integruese, është, në rastin më të mirë, e dyshimtë. Duke kontestuar nevojën, kredibilitetin dhe rolin amerikan në zgjidhjen e konfliktit tonë me Serbinë, ne po e legjitimojmë, po i shtrojmë rrugën një fuqie tjetër të kërkojë ndërhyrjen. Ne të gjithë e dimë se kush është poli i kundërt i Amerikës, i cili shtrihet aty ku mungon ajo”, ka thënë ndër të tjera deputetja Deliu-Kodra.
Deputetja e Partisë Demokratike, ka shtuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e dëshmon, se eshte i gatshëm të shkëmbejnë fatin e popullit për fatin e vet!“Kryeministri i shkarkuar po e dëshmon, se eshte i gatshëm të shkëmbejnë fatin e popullit për fatin e vet! Sulmi i hapur, nga Kryeministri i shkarkuar, në audiencën ndërkombëtare, ndaj prezencës amerikane në konsolidimin e demokracisë dhe vetë shtetësisë së Kosovës, është alarmi më këmbues që duhet ta zgjojë vetëdijen mbarëkombëtare”, përfundon deputetja Deliu-Kodra