
Mblidhet Shtabi Emergjent dhe Qendra Operative Lokale Emergjente në Komunën e Drenasit për të diskutuar rreth pandemisë dhe zjarrvëniet në këtë komunë.
Në Komunën e Drenasit një qytetar u infektua me virusin COVID-19 dhe fshati Zabel i Ulët u shpallë vatër e infeksionit.
“Sa i përket rastit me virusin COVID-19, raportoi drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arsim Haxhiu. Ai i njoftoi të pranishmit me masat e marra të cilat i përkasin nivelit komunal lidhur me karantinimin e familjes së personit të prekur me virus dhe vlerësimit të gjendjes dhe të kontakteve të mundshme”, thuhet në njoftimin e komunës.
Shefi i zjarrfikësve në Drenas, Afrim Gjeli, tha se këto ditë ekipi i zjarrfikësve është ballafaquar me një numër të rritur të zjarrvënieve.
“Veçanërisht zjarri i mbrëmshëm që përfshinte sipërfaqe qindra hektarësh të tri fshatrave Baicë, Tërdevc dhe Abri e Eperme. Lokalizimi i zjarrit u bë sot në orët e hershme të mëngjesit ku si pasojë pati dëme të shumta në florë dhe faunë. Ndër të tjera ai tha se zjarrfikësit e Drenasit po ballafaqohen me mungesë kronike të stafit për tu përballë me këtë intensitet të shtuar të zjarrvënieve”, thuhet në njoftimin e komunës.
Komandantja e Stacionit Policor në Drenas, Feime Bajrami kërkoi nga anëtarët e Shtabit Emergjent dhe Qendrës Lokale Emergjente të raportojnë dhe të njoftojnë për çdo informacion që mund të kenë për grumbullimin e popullatës dhe ata do të marrin masat e nevojshme, edhe pse shpeshherë ballafaqohen me terrene të papërshtatshme për të depërtuar.