Për herë të parë, Coronavirusi në Kosovë është shfaqur në qytetin e Vitisë.
Ndonëse për thuajse 40 ditë në këtë qytet, nuk u shënua asnjë rast pozitiv me këtë virus, së fundmi ato janë rikthyer aty, raporton Front Online.
Momentalisht ky qytet ka 15 raste aktive me Coronavirus, e ku 3 qytetarë janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në Prishtinë.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të të infektuarve, për Front Online, ka folur zëdhënësi i Komitetit për Mbrojtje dhe Shpëtim, Tefik Salihu.
“Aktualisht në Komunën e Vitisë janë 15 raste aktive me Covid-19. Tre të infektuar janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive në Prishtinë, kurse të tjerët po trajtohen në shtëpi. Gjendja shëndetësorë e tyre është e qëndrueshme, përveç disa shqetësimeve të lehta”, ka thënë ai, për Front Online.
Salihu poashtu ka bërë të ditur, që së fundmi nga IKSHPK-ja, për testim janë marrë edhe 17 mostra, teksa ka shtuar se rastet pozitive së fundmi janë raste kontakti.
“Për testim janë marrë 17 mostra, për të cilat priten rezultatet. Rastet e fundit janë raste kontakti. Vetëm një rast është i ri, por nuk dihet nga është infektuar”, ka thënë ndër të tjera ai. /Front Online