Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i ka drejtuar sot një letër falënderimi homologut të tij shqiptar, Gramoz Ruçi.
Duke falënderuar kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë për urimet me rastin e rizgjedhjes, Xhaferi shkruan se “përkrahja juaj nuk na ka munguar asnjëherë dhe me ndihmën tuaj, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ngadalë por të sigurt, po bëhen faktorë të rëndësishëm në fuqizimin e shtetit demokratik dhe evropianizimin e vendit”.
“Falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm gjatë mandati të kaluar, arritëm ta fuqizojmë lidhjen Tiranë-Shkup dhe ky bashkëpunim nuk do të mungojë as mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Ju falënderoj për ftesën dhe shpresoj të shihemi së shpejti në Tiranë”, shkruan në letrën e tij drejtuar Ruçit, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi./Atsh