
Pesë pacientë me koronavirus kanë vdekur nga zjarri që shpërtheu në repartin e kujdesit intenzit të një spitali në Shën Petersburg të Rusisë.
Agjencitë ruse të lajmeve raportuan se zjarri qartazi është shkaktuar nga një lidhje e shkurtë në një ventilator, shkruan “BBC”.
Zjarri tashmë është vënë nën kontroll dhe 150 persona janë evakuuar nga spitali, tha Ministria e Emergjencave. Nuk është ende e qartë se sa persona janë lënduar.
Ndryshe, Rusia e ka zënë vendin e katërt në botë sa i përket numrit të të infektuarve, duke e larguar nga kjo pozitë Italinë.
Megjithatë, presidenti rus, Vladimir Putin, të hënën njoftoi se vendi i tij do t’i lehtësojë masat kufizuese, pavarësisht shifrës rekorde ditore të rasteve të reja – 11,656.
Kështu, në punë do të rikthehen punëtorët e ndërtimtarisë, fermave dhe fabrikave. Në Moskë, përdorimi i maskave është i obligueshëm në transportin publik dhe në dyqane.