×
  • Lajme
  • Lajme

    Vetëvendosje e PDK refuzuan ftesën e Hotit për Uashington, çka thonë analistët

    FrontOnline
    28 Gusht 2020

    Ftesa e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, për partitë opozitare, që të propozojnë përfaqësuesit e tyre për të qenë pjesë e delegacionit të Qeverisë së Kosovës për takimet në Uashington dhe në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë, që priten të zhvillohen në javën e parë të shtatorit, është shumë e vonuar, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

    Megjithatë, ata kanë këndvështrime të ndryshme lidhur me refuzimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, që të jenë pjesë e këtij delegacioni.

    Të dy këto parti opozitare tashmë i kanë bërë publike qëndrimet e tyre refuzuese ndaj ftesës së kryeministrit Hoti.

    Analistja e zhvillimeve politike në Kosovë, Donika Emini, thotë për Radion Evropa e Lirë që ftesa e kryeministrit Hoti ndaj partive politike opozitare për të qenë pjesë e delegacionit të Qeverisë së Kosovës për takimet në Uashington dhe në Bruksel, është qasje e gabuar, pasi, sipas saj, elita politike është skajshmërisht e polarizuar.

    Siç thotë Emini, dialogu me Serbinë është pikë e ndjeshme për dy partitë opozitare.

    Në këtë rast, sipas saj, për PDK-në, aktakuzat, ende të pakonfirmuara, për krime lufte nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ndaj kryetarit të kësaj partie, Kadri Veseli, dhe ndaj presidentit Hashim Thaçi, e kanë ndërruar kursin e dialogut në Uashington.

    Ndërkaq, për sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, sipas saj, është pikërisht fakti që për shkak të dialogut dhe “vendimeve unilaterale”, siç i pati quajtur Hoti atëherë, LDK-ja e kishte prishur koalicionin qeverisës me këtë parti, gjë që çoi në rënien e qeverisë së Albin Kurtit.

    Siç thotë Emini, kohezioni dhe uniteti politik për dialogun nuk mund të arrihen në momentin e fundit, me një ftesë të vonuar, por ky proces duhet të jetë më i gjatë dhe më i thellë.

    “Kjo qasje e Hotit ndaj gjithë partnerëve politikë, po tregon vetëm atë që kur ta pyesin nesër se ‘pse nuk je konsultuar paraprakisht’, përgjigjja e tij mund të jetë ‘u kam dërgua ftesë, mirëpo nuk janë përgjigjur’ dhe me këtë ta heqë obligimin e konsultimit të brendshëm politik. Kjo është e gabuar, sepse është një proces në të cilin duhet hyrë me sinqeritet të plotë. Këtë nuk e kam parë nga Hoti, as ndaj opozitës e as ndaj partnerëve të vet në qeveri, duke e ditur qartë që (lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush) Haradinaj, tashmë është duke e kritikuar zëshëm qasjen e Hotit në këtë proces”, tha Emini.

    Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, duke folur për Radion Evropa e Lirë shpreh mendimin që ftesa e kryeministrit Hoti për partitë opozitare është pozitive, por e vonuar. Sipas tij, është në dobi të Kosovës që dialogut me Serbinë t’i qaset me një konsensus më të gjerë politik, i cili do të reflektohej në delegacionin e vendit për takimet në Uashington dhe Bruksel. Por, sipas tij, përderisa refuzimi i Lëvizjes Vetëvendosje mund të jetë i kuptueshëm, një refuzim i tillë nuk mund ta arsyetohet edhe për PDK-në.

    “Vetëvendosje e dimë që vazhdimisht ka qenë kundër dialogut çfarë është zhvilluar dhe nuk ka pranuar asnjëherë një dialog të tillë. Ndoshta është e arsyeshme përgjigjja negative që të mos bëhen pjesë e delegacionit, për shkak se ata në thelb e kundërshtojnë dialogun çfarë po zhvillohet. Por, nuk po mund të gjej arsye që ta arsyetoj Partinë Demokratike të Kosovës, e cila e ka filluar këtë proces dhe tash nuk po pranon që të bëhet pjesë e përfundimit të këtij procesi”.

    “Kërkesa e Hotit, si kryeministër, për përfshirjen e opozitës në dialog, mendoj që ka qenë e vonuar. Është dashur që qysh para takimit të parë të ndodhë kjo, por nuk ka ndodhur. Pra, po ndodh tash në një moment ku tashmë janë mbajtur disa takime në procesin e dialogut”, vlerëson Demhasaj.

    Më 26 gusht, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar që është duke u finalizuar delegacioni i Kosovës që do të marrë pjesë në takimin e Uashingtonit, i cili delegacion do të kryesohet nga ai dhe se u ka dërguar ftesa partive opozitare.

    “Unë kam dërguar letra edhe te partitë opozitare që të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë delegacion të Qeverisë së Kosovës në takimin në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas edhe në takimin e ardhshëm, të paraparë për në fillim të shtatorit në Bruksel”, pati theksuar Hoti.

    Por, të enjten, më 27 gusht, të dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë theksuar se e refuzojnë ftesën e kryeministrit Hoti.

    Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se e ka pranuar ftesën nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, për t’u bërë pjesë e delegacionit të Qeverisë së Kosovës në dialog me Serbinë, për takimet e parapara për në Uashington dhe në Bruksel.

    Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se subjekti i tij politik e refuzon këtë ftesë dhe nuk do të jetë pjesë e delegacionit për bisedime, për shkak se sipas tij, qeverisë aktuale i mungon legjitimiteti dhe siç shprehet ai, ajo nuk mund të bëjë thirrje për unitet të partive politike.

    “Ne nuk do t’i përgjigjemi pozitivisht kësaj ftese. Ne konsiderojmë që Kosova mund të bëjë dialog me Serbinë vetëm me një qeveri legjitime, e cila vjen nga zgjedhjet e parakohshme që duhet të organizohen sa më parë ”, thekson Kryeziu.

    Edhe subjekti tjetër opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, ka refuzuar që të jetë pjesë e delegacionit të Qeverisë së Kosovës në bisedimet e paralajmëruara në Uashington dhe Bruksel.

    Lideri i kësaj partie, Kadri Vesli, i është përgjigjur letrës së kryeministrit Hoti, duke thënë se subjekti politik që ai drejton do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit.

    “Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, thuhet në përgjigjen e Veselit për kryeministrin Hoti.

    Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen demokratike të Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate, dhe e cila në disa raste ka shfaqur mospajtimet e saj me kryeministrin Hoti për qasjen ndaj dialogut, tashmë e ka të caktuar përfaqësuesin e saj që do të jetë pjesë e ekipit për dialog.

    Kështu ka deklaruar, të enjten, vetë ky përfaqësues, Selim Selimi, i cili është ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Ai ka theksuar që listën, personat apo delegacionin që udhëton në SHBA, për takimin e 4 shtatorit do ta caktojë kryeministri Hoti.

    “Unë jam ministër i qeverisë Hoti, por sa i përket pjesës së dialogut, në atë grup jam i caktuar nga partia politike, të cilën unë e përfaqësoj. Ne mendojmë, si parti politike dhe pjesë e këtij koalicioni, që hise në dialog kemi barabartë me të gjitha partitë e koalicionit. Andaj pjesëmarrja në takime e garanton transparencën përbrenda partnerëve të koalicionit, por njëkohësisht e garanton edhe unitetin e kësaj qeverie, të këtij delegacioni”, theksoi Selimi.

    Dialogu i Kosovës me Serbinë është në pikë kritike vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

    Analistja Emini vlerëson që qasja të cilën Kosova pasur ndaj procesit të dialogut në dy vjetët e fundit, ka qenë e pasinqertë dhe ka treguar dobësinë e funksionimit të brendshëm të shtetit. Lidhur me këtë proces, sipas saj, Kosova më shumë është fokusuar tek iniciativa e partnerëve ndërkombëtarë, SHBA-së dhe BE-ë, ngjashëm sikurse në rastin e Rambujesë dhe në bisedimet në Vjenë për statusin e Kosovës.

    Por, siç thotë ajo, rrethanat tashmë kanë ndryshuar edhe për sa u përket partnerëve ndërkombëtarë, ndërkaq që në dy vjetët e fundit, Kosova është parë si palë destruktive në procesin e dialogut, për shkak të krizave të brendshme politike, vendosjes së tarifës ndaj mallrave të Serbisë, por edhe dërgimin e porosive të ndryshme nga krerët institucionalë.

    “Të shkosh prapë po aq konfuz, e mbase edhe më shumë, si dhe me fraksione të shumta përbrenda, unë nuk e di se me çfarë guximi po nisen në Uashington. Nëse takohesh në Shtëpinë e Bardhë dhe nëse aty është edhe presidenti i SHBA-së, nuk kanë për të pasur negociata, por ka për të pasur marrëveshje. Ndoshta jo marrëveshje politike ose marrëveshje përfundimtare në mes dy vendeve, por do të ketë një marrëveshje, për të cilën duhet të kihet kujdes dhe duhet të kemi strategji se si t’i qasemi”, theksoi Emini.

    Ajo shton që në rast se Kosova vazhdon t’i qaset dialogut me Serbinë pa unifikim të brendshëm politik, do ta delegjitimojë veten dhe procesin, si dhe do ta përkeqësojë pozicionin e saj në negociata.

    Edhe sipas Demhasajt, mungesa e unitetit të brendshëm politik për çështjen e dialogut, e vë Kosovën në një pozicion të pafavorshëm.

    “Çfarëdo marrëveshje potencial që mund të arrihet, qoftë në Uashington, qoftë në Bruksel, nuk mund të ratifikohet në kuvend, për shkak të mungesës së votave. Për t’u ratifikuar këto marrëveshje, duhet të jenë 80 deputetë që votojnë për ato marrëveshje dhe mospërfshirja e PDK-së, por edhe e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë proces, në një mënyrë mund ta pamundësojë ratifikimin e marrëveshjeve të mundshme, që mund të arrihen”, vlerëson Demhasaj.

    Liderët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, me ftesën që u ka bërë këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein.

    Ky takim fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 2 shtator. Por, ai është shtyrë për dy ditë më vonë.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 22 gusht ka deklaruar që në këtë takim “ekziston mundësia që të paraqitet presidenti i SHBA-së Donald Trump”, në rast se palët merren vesh për diçka.

    Po ashtu, më 7 shtator, në Bruksel pritet të takohen delegacionet e të dyja vendeve, të përfaqësuara ne nivelin më të lartë politik, nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Nga Rubrika
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ditë më parë ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me një delegacion të lartë nga MCA Kosova,...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Gjykata Themelore në Gjakovë  ia ka caktuar masën e paraburgimit pre tridhjetë (30) ditësh P. B, i dyshuar për tentim vrasje. Rasti...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Ilir Tahiri ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka vizituar Komunën...
    Të tjera
    Vip21 Dhjetor 2024
    Vullneti ka biseduar me Xhenetën dhe e ka këshilluar se si të flasë me Gjestin në darkën që do të organizohet për...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Sara dhe Driloni kanë vazhduar të bisedojnë për raportin me njëri-tjetrin. Ishte Sara ajo që i Drilonit se në pjesën e klipit...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Driloni e ka bërë hapin e parë drejt raportit me Sarën. Gjatë bisedës me të, Driloni i tha Sarës se “ne duhet...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Vullneti, Drenusha dhe Xheneta kanë biseduar për deklaratën e Gresës për marrjen e rolit në filma. Drenusha tha se “ne e dimë...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Pikëkalimet kufitare kanë filluar të ngarkohen edhe më shumë për shkak të rritjes së fluksit të ardhjes së diasporës në vend. Pritjet...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpërndarë sot në profilin e tij zyrtar një pjesë të fjalimit të tij të mbajtur në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.