Pasi Joe Biden pranoi nominimin e demokratëve si kandidat për president të SHBA-ve, Donald Trump tha se ka gjasa që kurrë nuk do të arrijmë të mësojmë rezultatet e sakta zgjedhore të nëntorit.
Ai paralajmëroi se “e çmendura Nancy Pelosi (kryetarja e Dhomës së Përfaqësusve)” mund të bëhet presidente e vendit, raporton theindependent.
“Sipas mendimit tim, nuk do të ketë rezultate për javë, muaj, ndoshta vite, por mbase edhe kurrë. Ju keni dëgjuar gjithashtu për teorinë se nëse nuk ka rezultate deri në fund të vitit, e çmendura Nancy Pelosi mund të bëhet presidente”, tha presidenti aktual, Trump, i cili njëkohësisht është edhe kandidat i republikanëve për një mandat të dytë në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kandidati demokrat është përpara atij republikan sipas shumë sondazheve gjersa Trump po e humb gjithnjë e më shumë besimin e amerikanëve gjatë protestave të pandemisë, transmeton Telegrafi.
Ai mbajti një fjalim në prag të kongresit kombëtar republikan që do të mbahet javën e ardhshme dhe me këtë rast tha se ne mund të mos jemi në gjendje t’i zbulojmë rezultatet e zgjedhjeve.
Amerikanët po lëvizin për të votuar me postë, gjë që rrit mundësinë se rezultatet e zgjedhjeve të mos dihen menjëherë, por kjo nuk do të thotë se do të jenë të manipuluara, siç pretendon miliarderi 74-vjeçar, ose se ato kurrë nuk do të dihen.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale për të parin e SHBA-ve do të mbahen më 3 nëntor (e marte).