×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi-Kushtetueses për zgjedhjet në Podujevë: Respektova Kushtetutën dhe mbrojta shëndetin e popullatës

    FrontOnline
    11 Korrik 2020

    Prej disa ditësh të dhënat që po publikon Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) flasin për numrin e madh të të infektuarëve me virusin Covid-19. Këto shifra vetëm sa po rriten nga ditë në ditë.

    Pikërisht me qëllim të parandalimit të përhapjes së këtij virusi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në datën 14 mars kishte marrë vendim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës, të cilat do të mbaheshin një ditë më pas, 15 mars. Vendimi në fjalë kishte ardhur pas kërkesës së KQZ-së për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve, sepse në të njëjtën ditë, IKShPK-ja i kishte rekomanduar pezullimin e këtyre zgjedhjeve me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë.

    Vendimi i Presidentit Thaçi për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi.

    KosovaPress ka parë komentet voluminoze që Presidenti i Kosovës, Thaçi, ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, i cili ka kërkuar që kërkesa e deputetëve të Vetëvendosjes të shpallet e papranueshme.

    Presidenti Thaçi ka konkluduar se përmes shtyrjes së këtyre zgjedhjeve “ka vepruar në kuadër të kompetencave të tij të përcaktuara me Kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi”, si dhe “ka vepruar në të mirën publike dhe të interesit të qytetarëve, në mbrojtje të shëndetit publik dhe vlerave kushtetutese të Republikës së Kosovës, me qëllim të shmangies dhe parandalimit të përhapjes së COVID-19, duke pasur për prioritet shëndetin e qytetarëve dhe përballjen me pandeminë COVID-19”.

    Në përmbledhjen e fakteve, Presidenti i vendit, ka treguar se ka marrë këtë vendim pas kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (14 mars 2020) që të pezullohen përkohësisht këto zgjedhje me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19. Kjo kërkesë e KQZ-së ishte bërë pasi që në të njëjtën ditë, IKShPK kishte rekomanduar pezullimin e tyre.

    Gjithashtu, presidenti i vendit i ka thënë Gjykatës Kushtetuese se kur mori vendim për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve, ka marrë parasysh edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës, që në atë kohë drejtohej nga kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përmes së cilit vendim çdo institucion publik reduktohej në veprime esenciale dhe staf esencial.

    Kjo është hera e parë që në Republikën e Kosovës, institucionet detyrohen për të shtyrë procesin zgjedhor për shkak të rrethanave të krijuara. Për të njëjtën arsye, janë shtyrë edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.

    Sipas të dhënave të fundit të IKShPK-së, numri i personave të vdekur ka arritur në 97, ndërkaq numri i rasteve aktive të infektuar me COVID-19 është 2,259 raste. Në 24 orët e fundit, nga 205 rastet e reja vetëm nga komuna e Podujevës janë 13 raste.

    Cilësi, gatim dhe shpërblim
    Nga Rubrika
    Lajme26 Prill 2024
    Policia e Kosovës, njofton se në vazhdën e aktiviteteve hetimore dhe operative në terren ka zhvilluar një operacion policor në rajonin e...
    Lajme26 Prill 2024
    Të dielën e 21 prillit, qytetarët serb kanë bojkotuar referendumin për shkarkimin e kryetarëve shqiptar në Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë...
    Lajme26 Prill 2024
    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedoni, ka dhënë komentet e tij lidhur me mbajtjen për disa ditë të garës ndërkombëtare “Ushtari më i...
    Të tjera
    Lajme26 Prill 2024
    Dëshmitarja Nexhmije Zhuti, në seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj tre të akuzuarve Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, të cilët ngarkohen për vrasje...
    Lajme26 Prill 2024
    Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se ka rekomanduar suspendimin e një togeri policor, pasi dyshohet se i njëjti ka...
    Lajme26 Prill 2024
    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se tashmë në Kosovë ka arritur pajisja më e re mjekësore “SPECT/CT/PET” falë ndihmës nga...
    Vip26 Prill 2024
    Moderatorja Sol Perez njihet tashmë si vajza e motit më seksi në botë e cila nuk ngurron të kënaqë ndjekësit e saj...
    Bota/Rajoni26 Prill 2024
    Zv/kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi ka reaguar pas rritjes së çmimit të polisës së sigurimit të detyrueshëm nga kompanitë e sigurimeve....
    Vip26 Prill 2024
    Sara Gjordeni dhe Bardhi janë dy ish-konkurrent të formatit më të ndjekur në Shqipëri, ‘BBV3’, rrugëtimi i të cilëve përfundoi pak javë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.