×
  • Lajme
  • Lajme

    Spitali “COVID” i Vushtrrisë pa asnjë infektolog

    FrontOnline
    15 Korrik 2020

    Në spitalin e përgjithshëm në Vushtrri janë duke u trajtuar 7 pacientë me COVID-19, e që janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi. Që nga dje ky spital ka filluar përgatitjet për të pritur edhe pacientët e tjerë që janë me koronavirus, pasi që me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë është shndërruar në spital për trajtimin e rasteve me COVID-19.

    Spitali i Vushtrrisë ka 64 shtretër, ndërkohë që nuk ka infektolog dhe ka vetëm një pulmolog, e që përballet edhe me mungesë të stafit.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të këtij spitali, Mursel Pllana, tha se me të marrë vendimin nga Ministria e Shëndetësisë kanë filluar me përgatitjet e nevojshme.

    “Spitali i Vushtrrisë i ka 64 shtretër, shumica e dhomave janë të pajisura me oksigjen qendror. Kështu që, momentalisht në spital i kemi 7 pacientë të shtrirë, të gjithë janë me oksigjenoterapi. Jemi duke u përgatitur edhe për masat e tjera, duke i ndërmarrë masat të cilat shpenzohen, fjala është për maskat mbrojtëse, për material shpenzues, oksigjen të gjitha këto që janë të nevojshme. Jemi duke i bërë kërkesat me kohë që mos të kemi probleme në mbarëvajtje të punës”, tha ai.

    Ai ka treguar se gjendja e pacientëve me COVID-19 që janë duke u trajtuar në këtë spital është stabile.

    “Janë 7 pacientë, të gjithë janë me oksigjenoterapi dhe gjendja e tyre është e kënaqshme deri diku. Presim që këta pacientë shumë shpejt t’i lirojmë… Kryesisht janë mosha të shtyra dhe kanë sëmundje të tjera shoqëruese. Mosha mesatare janë mbi 65 vjet”, tha ai.

    Në spitalin e Vushtrrisë tashmë nuk do të ofrohen shërbimet e zakonshme mjekësorë, e për të njëjtat vushtrriasit do të duhet të shkojnë në Spitalin e Mitrovicës.

    Pllana ka treguar se mungesë të stafit kanë pasur edhe para pandemisë, por që thotë se presin staf mbështetës nga Ministria e Shëndetësisë.

    “Mungesë të stafit kemi pasur edhe para pandemisë edhe jemi gjetur në atë formë si kemi mundur. Kryesisht i kemi shfrytëzuar praktikantët në menaxhim të teknikave në ato vende ku kemi pasur mungesa i kemi angazhuar dhe e kanë kryer punën. Mungesat më të mëdha i kemi pasur në diagnostikë, në radiologji dhe në laborator. Kështu që, tash pas riorganizimit të stafit unë besoj që shumë shpejt besoj nesër ose pasnesër do të vijnë prej Mitrovicës stafi teknik i radiologjisë dhe të laboratorit dhe do të kompletohet stafi i diagnostikës… këtu tek ne nuk kemi repart të Infektives, në Mitrovicë ka pasur repart të Infektives. Tek ne këtu e kemi vetëm shërbimin internistik, do të thotë në kuadër të atij shërbimi e kemi një pulmulog”, tha ai.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të spitalit “Sheikh Zayed”, Mursel Pllana, tha se janë duke u përgatitur me të gjitha kapacitetet që i kanë edhe nëse do të ketë fluks të pacientëve.

    “Vushtrria, aq sa jemi duke i përcjell testimet, do të thotë qysh ka qenë në fillim me 20 deri në 25 , tash ka ra në 4 ose 5 të rasteve që po infektohen. Mitrovica, ashtu si i kam përcjellë, është një trend të rritjes. Unë besoj që këtu nuk është vetëm Mitrovica, është edhe Skenderaj. Unë besoj që mundet me pas rritje, po ne do të përgatitemi me këto kapacitete që i kemi”, tha ai.

    Për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19 në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim gjatë ditës së djeshme që spitali i Vushtrrisë të shndërrohet në spital për rastet COVID-19

    IPKO i dhuron Komunës së Fushë Kosovës ekografi të sofistikuar për zbulimin e hershëm të kancerit Konfirmon përkushtimin e saj…
    Nga Rubrika
    Lajme23 Maj 2024
    Kosova mbeti jashtë agjendës në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës më 17 maj 2024, pasi qeveria refuzoi ta...
    Lajme23 Maj 2024
    Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, i është përgjigjur kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, pas deklaratës së këtij të fundit se Kurti...
    Lajme23 Maj 2024
    Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar për një bashkëbisedim të organizuar nga...
    Të tjera
    Lajme23 Maj 2024
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në gala eventin e organizuar nga RIT - “Support...
    Sport23 Maj 2024
    Francesco Farioli është emëruar zyrtarisht si trajneri i ri i gjigantëve holandez, Ajax, duke u bërë italiani i parë që merr drejtimin...
    Sport23 Maj 2024
    Trepça ka shënuar fitore ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 67-66 në ndeshjen e pestë të finales së play-offit në Superligën e...
    Lajme23 Maj 2024
    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se partia që ai drejton beson se duhet të ekzistoj një qasje e re ndaj Listës...
    Lajme23 Maj 2024
    Policia ka njoftuar se në rrugën magjistrale Ferizaj-Viti, skatësisht në fshatin Gërlicë të Ferizajt ka ndaluar dy shoferë, njëri shtetas i Kosovës...
    Lajme23 Maj 2024
    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka thënë se aplikimi i Kosovës, në KiE, nuk ka qenë në agjendë. Ai në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.