Fatmir Sheholli, drejtor i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, ka thënë se ajo që ka ndodhur në Washington më 4 shtator është për mburrje.
“Ka ndodh për herë të parë që në Zyrën Ovale të ketë sjellje miqësore ndaj Kryeministrit të Kosovës. Modestia që ka përdor Hoti për të cilën ne kemi pasë një lloj hendikepi, por po tregon se është burrështetas i jashtëzakonshëm”, është shprehur ai, transmeton Klan Kosova.
“Ka shumë marrëveshje që janë zotuar se do të ndodhin, me Ujman e të pagjeturit që ka ndodh të bisedohet në këtë formë. Nga tërë kjo është marrëveshje historike. Pranimi nga shteti i Izraelit është historike, sepse çështjet tjera janë biseduar edhe në kohën e Hashim Thaçit”.
Sheholli ka folur për pikën e shumëpërfolur të Ujmanit për të cilën Kosova dhe Serbia kanë dhënë nënshkrimet në SHBA.
“9.2 kilometra të liqenit janë në Republikën e Kosovës dhe ato s’mund t’i marrë askush. 2.7 kilometra janë në anën e Serbisë dhe bishti ku buron është në Mal të Zi. Fizibiliteti është fjalë që ka të bëjë me inxhinieringun, që mund të marrë përmasa edhe politike rrugës. Kur kemi të bëjmë me kufizim të ujit patjetër duhet të ketë biseda dhe jemi shumë të bindur që në asnjë metodë nuk mund të ketë ndërhyrje të Serbisë në këtë çështje. Fizibilieti mund ta ketë me kufizimin dhe përdorimin e përbashkët të Ujmanit”.
“Përdorimi i përbashkët ka të bëjë me çështjen e veriut. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është obligim ndërkombëtar. Nëse ASK formohet, qasja e përbashkët na lë pak hezitim por për këtë çështje Kryeministri Hoti duhet të na tregojë për domethënien dhe Ramush Haradinaj ka pasë këtu hezitimin”.
Sipas tij marrëveshjen e Washingtonit, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka shituar goxha mirë në Beograd.