Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, ka folur rreth takimit të sotëm në Paris, në mes të kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit francez Emmanuel Macron. Selmanaj në emisionin Pressing në T7, tha se Franca vazhdon të ketë hezitime për liberalizimin e vizave.
Franca nuk do e bllokojë liberalizimin e Kosovës, por vazhdon të ketë hezitime. Lajmin e dha zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.
“Shteti francez ka ende dilema për shkak të eksperiencës së disa vendeve të Ballkanit. Për fatin e keq ka akoma, dilema hezitime. Nuk ka qasje bllokuese por vazhdon të ketë hezitime”, tha Selmanaj.
Ndërkohë, takimin në përgjithësi e ka quajtur ‘konstruktiv dhe miqësor’.
“Ne erdhëm dhe hapëm shumë tema me Macron. Biseduam për sfidat që ka Kosova aktualisht, si lufta kundër Covid-19 si dhe planet për rimëkëmbje ekonomike”, tha ai.