Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i cili ishte pjesë e delegacionit të Kosovës, të kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti në Bruksel, ka folur për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se Kosova është e gatshme për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese, që nënkupton njohjen ndërmjet dy shteteve në kufijtë ekzistues.

“Si përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot isha pjesë e delegacionit kosovar, të udhëhequr nga Kryeministri Hoti, në takimin e parë të rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, ku fokus diskutimi ishte tema e personave të pagjetur dhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Selimi.

Ndryshe, takim mes Hotit dhe Vuçiqit është zhvilluar në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ky është takimi i parë i drejtpërdrejtë i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit, pas më se 20 muajsh.