
Në programin qeverisës të LDK-së bashkë me AAK-në e Nisman është rritur numri i ministrive.
E nëse formohet kjo qeveri, atëherë ekzekutivi pritet t’i ketë 16 ministri, një më shumë sa ka Qeveria në detyrë e Albin Kurtit.
I nominuari për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti, ditë më par para mediave tha se në kabinetin e tij qeveritar numri i ministrive do të jetë 16-të.
Lidhur me shtimin e numrit të ministrive, Front Online, ka kontaktuar Visar Rushitin, analist i politikave në organizatën joqeveritare Demokracia Plus.
Ai tha se përderisa Kosova nuk e ka një ligj në fuqi që e përcakton numrin e ministrive, Qeveritë do ta ndryshojnë numrin e tyre për shkak të akomodimit të partive politike të cilat kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në.
“Derisa nuk ka një ligj që përcakton numrin e ministrive dhe për rritjen e numrit të tyre do të duhej të votohej në Kuvend, Qeveritë vazhdimisht do të ndryshojnë numrin e ministrive. Kjo është rezultat i marrëveshjeve politike dhe realisht sa i gjerë është koalicioni qeveritar dhe në këtë rast, vërehet se numri është rritur për shkak të akomodimit të partive politike që kanë nënshkruar marrëveshje me LDK për bashkëqeverisje. Për më shumë, probleme lindin në kuptim të sistematizimit dhe organizimit të brendshëm të ministrive sepse ende pa organizuar mirë këto aktualet, prapë kemi ndryshim të tyre dhe kjo ka pasoja në shërbim civil”, tha Rushiti për Front Online.
Ndërsa në pyetjen se a po e shkel Avdullah Hoti zotimin e Vjosës për shtimin e ministrive, Rushiti, për Front Online, tha se nuk mendon se kjo është shkelje pasi që tani Hoti është mandatar për formimin e Qeverisë dhe jo Osmani.
“Nuk mendoj se është shkelje e zotimit për shkak se znj. Osmani ka qenë kandidate për Kryeministre nga LDK në kohën kur ka nënshkruar zotimin se Qeveria nuk do të ketë më shumë se 15 ministri derisa tani znj. Osmani nuk është mandatuar për formimin e Qeverisë së re por është mandatuar z. Hoti nga kjo parti”, deklaroi ai për Front Online.