
Në 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës, komandanti i KFOR-it, Michele Risi, gjatë një fjalimi ceremonial ka falënderuar ushtarët e NATO-s që kontribuan për vendin tonë dhe nderoi ata që humbën jetën gjatë misionit .
“Jemi mbledhur këtu që ta shënojmë ditën e 21 vjetorit prej kur kolegët tanë seniorë e prekën tokën e Kosovës”.
“Ishte një ekspeditë sfiduese. Forcave të armatorusa Jugosllave i është dashur një javë që të tërhiqen”, u shpreh ai.
Risi bëri falënderime për të gjithë burrat dhe gratë nga shtetet e ndryshme të botës që ishin të parët që shërbyen këtu nën flamurin e NATO-s. Po ashtu përmendi edhe udhëheqësit e tyre të asaj kohe, siç janë Wesley Clark dhe Javier Solana.
Komandanti falënderoi edhe pjesën tjetër të stafit që i ka mbështetur, ndërkaq theksoi se dhimbja e tij është për më shumë se 200 ushtarët e kësaj force që humbën jetën për paqen e Kosovës.
“Megjithatë misioni ynë nuk ka mbaruar. Duhet ta mbajmë zgjuar shpirtin dhe entuziazmin. Duhet të qëndrojmë të bashkuar për një Kosovë më të mirë”, përfundoi fjalimin Risi.