
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të vdekjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve, raporton “Front Online”
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të vdekjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Fillimi i hetimeve u kërkua sot edhe nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media.
“Ne, si institucion, sot nuk mund t’i lejojmë vetes të flasim për gjëra të pavërtetuara, dhe nuk mund të paragjykojmë asnjë element të rastit. Por, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria, do të ushtrohen të gjitha përgjegjësitë institucionale. Dhe se do të zbardhet në detaje çdo e dhënë që lidhet me rastin. Prej aranzhimit të udhëtimit nga Ambasada e Kosovës në Gjermani, pritjes e vizitës mjekësore në Aeroport dhe shoqërimit në Qendrën e Studentëve”, ka thënë ai përcjell “Front Online”.
Vitia është zotuar që hetimet do të bëhen duke filluar nga Ambasada e Kosovës në Berlin e deri tek stafi administrues në Qendrën e Studentëve.
“Pra, duke filluar prej Ambasadës së Kosovës në Berlin e deri te stafi administrues i Qendrës së Studentëve. Shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje Prokurorisë së shtetit të vendosë në prioritetet e saj hetimin e plotë të rastit. Çdo supozim i parakohshëm që ne mund të bëjmë tani, do të ishte mungesë përgjegjësie, do të ishte shtim i dhimbjes për familjen”, ka thënë ai. /Front Online
Vitia për vdekjen e 26 vjeçarit: Do të zbardhet çdo detaj i këtij rasti tragjik