Prokuroria Speciale është deklaruar lidhur me arsyen e intervistimit të ish -Kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi.
Zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Liridona Kozmaqi në një përgjigje për Gazetën Paparaci, ka thënë se ai është intervistuar me ftesë të kësaj prokurorie, në cilësinë e të pandehurit, për një çështje penale të cilën kjo prokurori e ka në hetim
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur Ju informoj se N.K. është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. I njëjti është intervistuar në cilësinë e të pandehurit për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, ka thënë ajo.
Ndryshe, për arsyen e intervistimit të Krasniqit më herët foli edhe avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga.
Avokati ka thënë se kjo nuk është çështje e re, por është intervista e dytë në lidhje me hetimet që janë duke u bërë për riparimin e Bllokut A5 që kanë filluar në janar të vitit 2023.
“Për keqpërdorimin e detyrës zyrtare që ka të bëjë me riparimin e Bllokut A5 që ka fillu hetimi në janar të vitit 2023. Kjo është intervista e dytë, nuk është çështje e re hetimore është e vjetër”, ka deklaruar ai para mediave.