Gjykata Themelore e Prizrenit me kërkesë të Prokurorisë Themelore i ka caktuar masën e paraburgimit tre personave pasi kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
“Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës, 27.08.2020, e cila masë do të zgjasë deri më datën 26.09.2020. Ekziston baza ligjore për caktimin e paraburgimit nga neni 187 para.1 nën para.1.1. pika 1.1 dhe 1.2 në lidhje me pikën 1.2.2 të KPPRK-së, sepse kemi të bëjmë me substanca narkotike që dyshohet të jenë të llojit – kokainë, të cilat janë gjetur gjatë kontrollimit të automjetit të tipit “VË-Jeta”, nga Policia e Kosovës në posedim të pandehurve të përgatitura në qese plastike për shitje, substanca këto të cilat sipas ligjit mbi barnat narkotike dhe substanca psikotropike dhe prekursor bëjnë pjesë në tabelën 1/,-bimët, barnat narkotike dhe substancat psikotropike me rrezikshmëri të lartë që nuk kanë përdorim në mjekësi dhe veterinë, veprimtaria e të cilave është e ndaluar në Kosovë”, thuhet në njoftimin gjykatës.