
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar sot se do të jetë vështirë të shkohet me lirimin e masave për veprimtari të tjera përderisa në veprimtaritë e lejuara përgjatë fazës së dytë dhe të tretë të hapjes graduale nuk respektohen masat e marra nga Qeveria e vendit dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
“Disa veprimtari të tjera të parapara për t’u rivlerësuar në fazën e III-të duhet marrë më shumë kujdes, për shkak në njërën anë të presionit të madh që vjen prej tyre për t’u liruar, dhe në anën tjetër rrezikut të përhapjes së virusin, pasi që shumica prej tyre kanë të bëjnë me fluks të madh të qytetarëve që gravitojnë në to apo që janë pjesëmarrës dhe në veprimtaritë e lejuara respektimi i masave nuk po ndodh”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ka thënë se duhet vazhduar me një përcjellje aktive të situatës lidhur me Covid -19, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejmë të virusit dhe mbajtjes në kontroll të tij.
“Është më se evidente se lirimi i shumë veprimtarive përgjatë fazës së II-të dhe të III-të të hapjes graduale ka sjellë edhe shtimin e rasteve pozitive në Covid-19, por kësaj duket që i ka kontribuar edhe ulja e kujdesit nga vet qytetarët, por edhe moszbatimi adekuat i masave mbrojtëse nga ana e bizneseve dhe subjekteve, veprimtaritë e të cilave janë liruar”, tha Ministri.
Ai ka kërkuar nga inspektoratet, që secili brenda fushë veprimtarisë së tij, të mbikëqyr dhe zbatojë masat e ndërmarra, në veçanti në sektorin e gastronomisë, ku sipas tij mospërfillja e tyre është e theksuar.
https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=1690715601086020&id=597689407055317