×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani: Numër i lartë i vdekjeve nga sëmundjet si pasojë e ambientit dhe ajrit të ndotur

    FrontOnline
    11 Gusht 2020

    Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e shoqëruar nga deputetët Haxhi Avdyli, Hajrullah Çeku dhe Albena Reshitaj, kanë vizituar Komunën e Mitrovicës, ku u pritën nga kryetari Agim Bahtri.

    Osmani bashkë me deputetët ka qëndruar në Mitrovicë për të diskutuar edhe me të rinjtë atje për çështjen e ambientit. Me ç’rast Osmani bashkë me deputetët dhe kryetarin Bahtiri, vazhduan rrugën për te liqeni artificial. Nga aty para të rinjve, Osmani ka folur rreth rëndësisë që ka ambienti në shëndetin e qytetarëve, duke theksuar se tema e ambientit nuk është luks, ashtu siç nuk është luks as shëndeti.

    Tutje kryeparlamentarja Osmani tregoi edhe pse zgjodhi Mitrovicën që të bëjë debatin lidhur me ambientin.

    Osmani: Për ambientin të mos flasim vetëm një ditë në vit

    “Është mirë që të mos flasim për ambientin vetëm një ditë në vit, kur kemi Ditën e Tokës ose një javë në vit, por të flasim çdo ditë sepse në Kosovë numri i qytetarëve që vdesin për shkak të ambientit të ndotur, për shkak të sëmundjeve që shkaktohen qoftë nga ajri i ndotur, qoftë qasja në ujë të pastër është numër i madh. Prandaj, duhet të fillojmë të flasim… Kemi ardhur në Mitrovicë për shumë arsyeje sepse ka pas shumë qytetarë që na kanë ftuar dhe për shkak se e dimë të kaluarën industriale të Mitrovicës e cila ka qenë edhe e lavdishme, por në anën tjetër ka lënë pasoja të mëdha në ambientin që jemi rritur shumë prej nesh dhe e treta për të shprehur përkrahjen tonë të plotë për Mitrovicën që të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që çështjen e ambientit ta rregullojmë shumë më mirë që ka qenë”, tha Osmani.

    Diskutimin për ambientin e ka quajtur të çmuar edhe i pari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, derisa ka shtuar se për kontributin në ambient duhet të diskutohet në të gjitha institucionet vendit.

    Bahtiri: Jemi duke u munduar të ruajmë ambientin

    “Ne si komunë jemi munduar të bëjmë diçka të re në Mitrovicë. Ne kemi katër lumenj, dy jemi duke i pastruar rregullisht dhe dy lumenj siç është Sitnica dhe Ibri jemi duke i rregulluar, duke e ruajtur ambientin por duke bërë edhe gjelbërime të mjaftueshme në dy anët e lumit, por edhe në lumin Sitnica që është duke u punuar dhe do të përfundoj në vitin e ardhshëm dhe ky projekti që do të lidhet nga kjo që shohim nga Liqeni Akumulues do të vazhdoj deri te ura e Ibrit dhe do të bashkoj deri te bashkimi i Lumit Ibër me Sitnicën ku do të jenë edhe shëtitore edhe pjesë dekorues të qytetit që sigurisht do të ketë edhe pjesë të gjelbëruara”, tregoi Bahtiri.

    Ndërsa, deputeti i kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku, para të pranishmëve është shprehur se Kuvendi bën më shumë se sa Qeveria për temat e ambientit.

    Çeku ka shpjeguar rëndësinë e mjedisit në jetën e qytetarëve, për çka ka thënë se këta të fundit duhet t’i ndëshkojnë kandidatët deputetë dhe ata për komuna nëse nuk e kanë mjedisin në agjendën e tyre.

    Çeku: Vetëm kur mjedisin e fusim në gjithçka atëherë mundemi me i mbërri efektet që i dëshirojmë

    “Vetëm kur mjedisin e fusim në gjithçka atëherë mundemi me i mbërri efektet që i dëshirojmë. Në vendet ku mjedisi është i integruar kështu, zakonisht deri në atë moment ka ardhur në dy forma, nga lart dhe poshtë. Nga lartë është kjo që e kemi sot një kryetare të kuvendit e cila është pavetëdije mjedisore të ngritur dhe atë vetëdije e sjellë në vendimmarrje të institucionit që udhëheq. Por duhet të vijë edhe nga poshtë. Nga poshtë duhet të vijë kur qytetarët nuk votojnë asnjë kandidat për deputetë që nuk kanë mjedisin si argument qendror kur garon, kur ata nuk votojnë asnjë kandidat për kryetar komune nëse nuk ka agjendë mjedisore brenda agjendës zhvillimore të qeverisjes urbane të qytetit, prandaj kjo është beteja e ardhshme që duhet ta bëjmë bashkë”, tha Çeku.

    E deputeti Haxhi Avdyli, ka thënë se duhet të dihet se çdo ndërhyrje në ambient është ndërhyrje dhe në shëndetësi. Avdyli theksoi se për 20 vjet ambienti në Kosovë ka pasur degradim.

    Avdyli: Ambienti i Kosovës në 20 vitet e fundit ka pësuar degradim

    “Duhet ta dimë së shëndetësia dhe ambienti janë një, çdo ndërhyrje në ambient është edhe ndërhyrje në shëndet. Ambienti i Kosovës në 20 vitet e fundit ka pësuar degradim, normalisht zhvillim ekonomik, infrastrukturor i Kosovës ka qenë i mirë por kjo domosdoshmërish në mënyrë indirekte ka cenuar ambientin. Normalisht kemi një Kosovë e cila tani menaxhimin e mbeturinave nuk e ka siç e kanë shtetet evropiane, por shpresoj që në të ardhmen të punohet për riciklimin e mbeturinave, kemi edhe degradimin tokave ku bëhen ndërtime por kemi edhe degradim të ujërave dhe lumenjve. Ne kemi iniciuar formimin e një komisioni hetimor për menaxhimin e lumenjve dhe kryesisht për ndërtime e hidrocentraleve pa kriter duke futur ujëra e natyrës nëpër gypa për të gjeneruar rrymë”, tha Avdyli.

    Ndërsa, deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, tha se kur luftohet për mjedisin atëherë duhet të kuptohet si luftë për të mbrojtur shëndetin dhe fëmijët.

    Reshitaj: Nëse luftojmë për mjedisin, ne po luftojmë për të mbrojtur shëndetin tonë

    “Ndihem e nderuar të jem me ju pikërisht në Mitrovicë dhe afër një liqeni artificial për të cilin sa isha ministre e Mjedisit kam kontribuuar dhe ndihem krenar që jam me ju dhe po flasim për probleme mjedisore. Është kënaqësi kur krerët institucionalë janë të vetëdijshëm për rendësin që ka mjedisi dhe trajtimi i problemeve mjedisore duke pas parasysh ndikimin e drejtpërdrejt në mirëqenie dhe cilësinë qytetarëve. Ne e dimë që Mitrovica në zhvillimet e saj politike dhe ekonomike ka pas gjithmonë probleme por ato janë involvuar dhe kanë pas impakt edhe në mjedis. Nëse flasim për mjedisin, nëse luftojmë për ta mbrojtur mjedisin, ne po luftojmë për ta mbrojtur shëndetin tonë, fëmijëve tanë dhe gjeneratave”, tha Reshitaj.

    Vizita e kryetares Osmani në Mitrovicë hyn në kuadër te “Vizitat e gjelbra nëpër komunat e Kosovës”. Para vizitës së komunës së Mitrovicës, Osmani kishte vizituar edhe komunën e Obiliqit.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka zhvilluar takim me grupin parlamentar ‘Bllokun e Progresit’ i kryesuar nga shefi i...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Deri në dy orë po vijojnë pritjet për të hyrë nga Jarinja në Kosovë. Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kombëtar, edhe te...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme bore deri të mërkurën, ndërsa nga e enjtja...
    Të tjera
    Vip22 Dhjetor 2024
    Këngëtarja dhe ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Ana Kabashi shpesh ndan fotografi me ndjekësit e saj në rrjetet sociale. Edhe sot...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Një helikopter i një spitali u rrëzua mëngjesin e së dielës në Turqinë jugperëndimore, duke vrarë të katër personat në bord. Dy...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha përmes një postimi në Facebook ka thënë se ndalimi i TikTokut është, siç u...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar në Facebookun e tij pamje nga Porti i Durrësit. Ai është shprehur se numri i...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Pritjet për të hyrë në Kosovë përmes pikave kufitare te Dheu i Bardhë, dhe në Muçibabë po zgjasin një orë. E në...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Një 69-vjeçar ka humbur jetën sot në Korçë, pasi ka rënë nga rimorkio e traktorit. Policia ka bërë të ditur se 69-vjeçar...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.