×
  • Lajme
  • Lajme

    OAK njëanshëm tërhiqet, në mes të pandemisë lë gazetarët pa përfaqësim ligjor

    FrontOnline
    21 Shtator 2020

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), më 5 gusht, ka pranuar vendimin e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), për shkëputjen e njëanshme të memorandumit të bashkëpunimit, i cili iu mundësonte anëtarëve të AGK-së përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas.

    Përkundër se Oda e Avokatëve të Kosovës përbëhet nga më shumë së 1080 avokatë, të cilët pos tjerash kanë obligim ligjor trajtimin e një rasti “pro bono” në vit, pra gjithsej mbi 1080 raste në vit, strukturat e reja udhëheqëse të OAK-ut kanë refuzuar që në këtë numër të përgjithshëm rastesh, t’iu vihen në mbrojtje gazetarëve.

    “Vlen të theksohet se që nga nënshkrimi i Memorandumit, për afro një vit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka deleguar tek Oda e Avokatëve vetëm 2 raste. Për më tepër, është jashtëzakonisht shqetësues fakti që ky Memorandum Mirëkuptimi, sipas sinjalizuesve të AGK-së, është shkëputur ekskluzivisht për raporte të brendshme personale në mes të strukturës së kaluar udhëheqëse dhe udhëheqësisë së re. Në njërin prej e-maileve të brendshëm të strukturave udhëheqëse të OAK-ut, kryetari i degës regjionale në Prishtinë, Nasuf Hasani, këtë memorandum i cili mbronte gazetarët ligjërisht, e quante “qirkuz” dhe “demoagogji” të ish kryetarit të OAK-ut, e që sipas tij ishte nënshkruar në mënyrë klandestine. AGK i rikujton Hasanit që memorandumi në fjalë është nënshkruar në ditën më të rëndësishme për OAK-un, “Dita e Avokatisë” dhe “46 vjetori i themelimit të OAK-ut”, ku pjesëmarrës pos udhëheqësisë, kanë qenë edhe akterë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë. Për më tepër, ngjarja është mbuluar nga shumica e medieve në vendin tonë. Shtrohet pyetja se si Hasani, përkundër që drejton degën regjionale të Prishtinës, nuk ka qenë në dijeni për marrëveshje të tilla publike dhe se si është informuar vetëm pas ardhjes së udhëheqësisë së re. Ky Memorandum që ishte nënshkruar më 16 nëntor të vitit 2019, u shkëput nga Këshilli i ri Drejtues i OAK-ut, me arsyetimin se gazetarët nuk i përkasin kategorisë së përfituesve të ndihmës juridike falas, të përcaktuara sipas Ligjit të Avokatisë – neni 42, statuti i OAK-ut – neni 95, par. 1.13. Duke marrë parasysh se kushtet e vështira ekonomike të gazetarëve, konkretisht pagat e vogla që ata kanë, ka qenë njëra nga arsyet dhe qëllimet e nënshkrimit të këtij memorandumi, referenca e OAK-ut në nenet e përmendura nuk korrespondon si arsyetim i vendimit të cilin e ka paraqitur Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve. Të ardhurat që përfitojnë punonjësit medial në Kosovë, nuk mbulojnë as për së afërmi kërkesat për një mbrojtje ligjore efektive. Si rezultat i kësaj, AGK vlerëson se komponenti social, i paraparë në vendimin e OAK-ut, më shumë i përgjigjet vlerësimit tonë, sesa arsyetimit të tyre. Për më shumë, OAK ka lidhur Memorandume Bashkëpunimi me dhjetëra institucione e organizata, sipas parimit të vullnetit të mirë për bashkëpunim dhe jo si obligim për zbatim të drejtpërdrejt të dispozitave të Ligjit për Avokatinë. Pos këtyre, Memorandumi është shkëputur pa asnjë lajmërim paraprak gjë që është në kundërshtim me Nenin 7 të Memorandumit, ku thuhet: “Palët mund të heqin dorë nga ky memorandum vetëm nëse konsideron se pala tjetër nuk është duke iu përmbajtur detyrave të parapara. Nëse njëra prej tyre vendos të largohet nga memorandumi, është e detyruar ta njoftojë palën tjetër, jo më pak se 30 ditë para datës në të cilën është paraparë të ndërpritet bashkëpunimi”. Pra, OAK nuk ka respektuar afatin e paraparë për ndërprerje të bashkëpunimit si dhe marrëveshja do të mund të shkëputej vetëm nëse ndonjëra palë do ta shkelte atë, e që një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

    Pas pranimit të vendimit, kryetarja e bordit të AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, zhvilloi një takim me kryetarin e OAK-ut, Behar Ejupi, me ç’rast ajo kërkoi që të shqyrtohej edhe njëherë shkëputja e kësaj marrëveshjeje.

    “Kryetari Ejupi, propozoi që nga ana e AGK-së të kërkohej rishqyrtim i memorandumit, ashtu që të funksionalizohej një marrëveshje e re. Por, AGK nëpërmjet një përgjigje zyrtare drejtuar OAK-së, ka bërë të qartë se kërkon që vendimi për shfuqizimin e Memorandumit ekzistues të rishqyrtohet përsëri dhe jo të arrihet një marrëveshje krejtësisht e re pa komponentin kryesor, përfaqësimin dhe mbrojtjen ligjore falas për kolegët tanë. Mirëpo, në përgjigjen pasuese të pranuar nga OAK, tregohej qartë se nuk ishin të gatshëm të vazhdonin Memorandumin ekzistues, duke u arsyetuar se për shkak të pandemisë edhe avokatët gjenden në pozitë të pafavorshme financiare për të siguruar shërbime juridike pa pagesë. Sa i përket kësaj çështjeje, AGK sërish thekson se që nga nënshkrimi i memorandumit e deri më tani, OAK ka pranuar vetëm dy kërkesa për përfaqësim dhe mbrojtje ligjore për gazetarët. Andaj, AGK e sheh si një veprim të paprecedent shkëputjen e këtij Memorandumi të Bashkëpunimit, aq më shumë pa diskutim dhe njoftim paraprak Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do t’i informojë të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë për këtë vendim të OAK-ut, i cili nga ana jonë vlerësohet arbitrar dhe i padrejtë, e i cili ua pamundëson gazetarëve përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas, në një kohë kur ata veprojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe në një klimë ku janë të atakuar jo vetëm nga faktori politik e ekonomik, por edhe nga drejtuesit e mediumeve ku janë të angazhuar dhe nga grupe të ndryshme të interesit. Bordi i AGK-së edhe njëherë kërkon publikisht nga kryetari i OAK-ut, Behar Ejupi dhe nga strukturat tjera vendimmarrëse që të tërhiqen nga vendimi i tyre i pa bazë, dhe t’u dalin në ndihmë gazetarëve, marrë parasysh që një numër i madh i tyre vazhdojnë të punojnë me pagë shumë të ulët 130 – 180 euro. Nga 1080 raste obligative që t’i trajtojnë “pro bono”, OAK nuk mund të sigurojë mbrojtje ligjore as për 2 raste të kërkuara nga AGK. Pra, OAK refuzon t’iu dal në ndihmë gazetarëve të cilët e ndajnë të njëjtin mision me ta, kontribuojnë në sundimin e të drejtës dhe ligjit si dhe mbrojtjen e fjalës së lirë”, thuhet në komunikatë.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bën me dije të gjithë gazetarëve se në rast se Oda e Avokatëve të Kosovës sërish refuzon të vazhdojë bashkëpunimin përmes memorandumit ekzistues, AGK do të vazhdojë angazhimin e saj për të siguruar mbrojte dhe përfaqësim falas nga akterë tjerë kompetent.

    Sunny Hill 2025: Yjet që do ta pushtojnë Prishtinën
    Nga Rubrika
    Lajme17 Maj 2025
    Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se propozimin për “shmangie të rregullores së Kuvendit” dolën për shkak se opozita “s’po reflekton” për...
    Lajme17 Maj 2025
    Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka konfirmuar se kjo parti ka refuzuar propozimin e radhës të kryesuesit Avni Deharit,...
    Lajme17 Maj 2025
    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folir pasi ka dështuar për të 17-tën herë seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë të...
    Të tjera
    Lajme17 Maj 2025
    Deputeti i betuar i PDK-së, Elmi Reçica para mediave tha se shpreson që partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, të reflektojë...
    Lajme17 Maj 2025
    Deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha pak para seancës së 17-të konstituive, tha se nuk do të ndryshojë qëndrim, nëse s’ka...
    Lajme17 Maj 2025
    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka deklaruar se gjendja po bëhet e padurueshme për shkak të “një personi i...
    Kronika17 Maj 2025
    Policia e Kosovës ka njoftuar se dje ka kryer kontroll në disa lokale në Ferizaj për dyshime për armëmbajtje pa leje. Policia...
    Lajme17 Maj 2025
    Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se është detyrë kushtetuese e Lëvizjes Vetëvendosje që të sigurojë konsensus brenda Kuvendit në mënyrë...
    Lajme17 Maj 2025
    Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami foli për Klan Kosova para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Behrami...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.