Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Britani të Madhe, Woody Johnson, ka konfirmuar se në mesin e tri viktimave të sulmit me thikë në Reading të Anglisë është një qytetar amerikan.
Autoritetet britanike e kanë shpallur zyrtarisht incident terrorist sulmin që dyshohet se u krye nga një person me prejardhje nga Libia, që ishte i njohur për autoritetet. I dyshuari quhet Khairi Saadallah dhe ishte i njohur për shërbimin e inteligjencës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasadori amerikan shprehu ngushëllime për familjet e personave të vrarë në këtë sulm, shkruan “Reuters”.
“Për pikëllimin tonë të madh, këtu përfshihet një qytetar amerikan. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit. Ne absolutisht e dënojmë sulmin dhe ua kemi ofruar asistencën tonë organeve britanike të sundimit të ligjit”, shkroi ai në Twitter.
Amerikani i vrarë në këtë sulm është identifikuar si Joe Ritchie-Bennett, 39 vjeç. Ai kishte jetuar në Britani të Madhe për 15 vjet.
Në mesin e viktimave është edhe mësuesi britanik, James Furlong, 36 vjeç.