Shqiprim Arifi vetëm edhe sot do të jetë në krye të Komunës së Preshevës. Kjo për faktin se ish-partneri i tij i koalicionit, Sami Salihu nga subjekti politik LRPDSH dhe partitë opozitare kanë ftuar për nesër(e enjte) seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, ku njëra nga pikat është edhe shkarkimi i kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi, raporton portali “Front Online”.
Përpos Arifit, pikë e parë e seancës së jashtëzakonshme është edhe shkarkimi i zëvendëskryetarit të Kuvendit Komunal, Branko Trajkoviq dhe konstatimi i dorëheqjes së së kryetarit të Kuvendit Komunal të Preshevës, Sami Salihu.
Përndryshe, partia e Arifit ka humbur shumicën në Kuvendin Komunal pas dorëheqjes së kryetarit të Kuvendit, Sami Salihu, shkruan Front Online.
Salihu pritet të jetë kryetari i ri i Komunës së Preshevës, në bazë të marrëveshjes me dy partitë opozitare, PVD dhe PDSH.
PDSH në bazë të kësaj marrëveshje për bashkëqeverisje do të udhëheq me Kuvendin Komunal të Preshevës, ndërsa PVD-ja me zëvendëskryetarin e Komunës. /Front Online/