
Një mjek i cili ishte i infektuar me COVID-19, mbrëmë para mesnatës është ndaluar nga Policia në rrugën “Skënderbeu” në Vushtrri, pasi i ka thyer rregullat e vetizolimit.
Siç njofton Komuna e Vushtrrisë, mjeku i spitalit privat “Sheikh Zayed” ka pretenduar se ka dalë negativ në testin për COVID-19, ndonëse nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) është urdhëruar që të qëndrojë në vetizolim edhe për dy javë.
“Duke vepruar në bazë të informatave nga qytetarët, Inspektorati Komunal ka njoftuar Policinë e Kosovës në Vushtrri, e cila mbrëmë me datë 30.05.2020, rreth ores 22:40, në rrugen “Skenderbeu”-Vushtrri, ka ndauar personin A.A, me profesion mjek, punëtor i Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri, më herët i infektuar me virusin Covid-19, i cili deklaron se para dy ditesh eshte ritestuar dhe i njëjti ka rezultuar negative sa i perket këtij virusi, mirepo i njëjti nga IKSHP eshte udhezuar që të qendrojë në vetizolim edhe per dy jave dite, mirepo nuk e ka respektuar këtë mase”, thuhet në njoftimin e Komunës së Vushtrrisë.
Prokurori kujdestar ndaj mjekut ka filluar procedurë penale në bazë të nenit 249 të Kodit Penal të Kosovës, “Perhapja e sëmundjeve ngjitese”.
Shtabi Emergjent Komunal i Vushtrrisë vlerëson se veprimi i mjekut është “skandaloz e i papergjegjshëm, vë në rrezik shëndetin publik të qytetarëve dhe i vë hije të keqe krejt komunitetit shëndetësor që kanë sakrifikuar tepër shumë në luftën me pandeminë Covid 19”.
“Shtabi Emergjent Komunal po punon me përkushtim për parandalim të përhapjes së Covid 19, situata është plotësisht nën kontrollë dhe falënderojmë qytetarët për bashkëpunim si dhe stafin shëndetësor për angazhimin makismal”, thuhet në fund të njoftimit.