Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homogolun nga Letonia, Edgars Rinkëviçs (Rinkēvičs), me ç’rast ka ritheksuar nevojën për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe zgjerimin e gamës së bashkëpunimit bilateral.
Ajo ia ka rikonfirmuar homologut të saj letonez gatishmërinë e Republikës së Kosovës për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, konform integritetit territorial të Kosovës dhe Kushtetutës së saj.
“Rikonfirmova gatishmërinë e Kosovës për arritjen e njohjes reciproke me Serbinë, duke respektuar integritetitin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Kosovës”, është shprehur ministrja Haradinaj – Stublla.
Ndërkaq ka kërkuar që edhe Letonia të jetë zë i fuqishëm, bashkë me shtetet tjera baltike, në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, tani që presim përmbylljen nën presidencën gjermane.