
56,531,759 milionë euro ishte buxheti që Ministria e Financave ndau për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2019.
Miratimin për këtë ndarje e patën dhënë deputetët në Kuvendin e Kosovës me votën pro miratimit të buxhetit të shtetit, raporton Front Online.
Por, jo e gjithë shuma prej mbi 56 milionë euro u harxhua. Ministria e Mbrojtjes shpenzoi vetëm 49,704,069 milion euro të këtyre mjeteve apo rreth 88% të buxhetit final.
Pasqyrën me këto të hyra e bëri publike Zyra Kombëtare e Auditimit.
Në të shihet se shuma prej mbi 49 milionë euro u shpenzua për tri kategori: paga e mëditje, shërbime e mallra dhe investime kapitale, raporton Front Online.
‘Kulaçi’ më i madh i buxhetit shkoi për pagat dhe mëditjet e stafit civil dhe ushtarak ku u shpenzuan 21.9 milionë euro.
Kategoria e dytë që harxhoi më tepër të holla ishte ajo e investimeve kapitale.
Gjithsej 17,628,423 milionë euro, i harxhoi Ministria e Mbrojtjes për ndërtimin dhe rregullimin e objekteve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, blerjen e kamionëve të ndryshëm, si dhe blerjen e pajisjeve tjera.
Shprehur në përqindje u shpenzua rreth 80% e kostës së fondit prej 22,164,706 milionë euro sa ishte ndarë për këtë kategori.
Kategoria që shpenzoi më së paku të holla ishte ajo e mallrave dhe shërbimeve.
Për furnizim me ushqim, furnizim me veshje sportive për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), e furnizime tjera, Ministria harxhoi 10,102,288 milionë euro nga buxheti prej 12,389,245 milionë eurove sa ishte i ndarë për këtë kategori, raporton Front Online.
Sipas pasqyrave financiare, Ministria u kishte borxh furnitorëve 489,100 euro për vitin 2019. Këto detyrime janë bartur për t’u paguar në vitin 2020.

