×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbi 1500 punëtorë shëndetësorë u prekën me Covid-19, u trajnuan vetëm një ditë si të kujdesen për pacientët

    FrontOnline
    08 Shtator 2020

    Sabrie Ahmeti, kryeinfermiere në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është trajnuar gjithsej një ditë, që të përkujdeset për pacientët me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi. Dhe pastaj, ajo është infektuar në vendin e punës.

    “Kemi mbajtur një trajnim njëditor për pandeminë dhe ajo ka qenë se si duhet të vishemi dhe zhvishemi me rrobe mbrojtëse kundër infeksionit. Pastaj na kanë treguar se duhet t’i vendosim dy palë dorëza sterile, maskat adekuate, gjitha këto”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

    Në Klinikën e Neonatologjisë, ajo ka trajtuar foshnje me COVID-19 si dhe ka pasur kontakte edhe me njësi të tjera të QKUK-së, ku trajtohen të infektuarit me koronavirus.

    Numri i të infektuarve në mesin e personelit shëndetësor, po cilësohet të jetë i lartë dhe një nga arsyet është edhe mungesa adekuate e trajnimit të vetë mjekëve e infermierëve për t’u përballur me pandeminë, thonë profesionistët shëndetësorë.

    Deri më 8 shtator, në Kosovë janë infektuar me koronavirusin e ri 557 mjekë, 886 infermierë, 40 farmacistë, 15 teknikë të farmacisë si dhe 21 fizioterapeutë.

    Brenda sistemit shëndetësor, pothuajse të gjithë mjekët e infermierët kanë trajtuar pacientë pozitivë me COVID-19.

    Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së mjekëve, i tha Radios Evropa e Lirë, se ka pasur ankesa nga stafi shëndetësor për mostrajnim dhe se, siç thotë ai, kjo edhe është njëra nga arsyet e numrit të madh të të infektuarve.

    “Është bërë përpjekje për një trajnim, por sa ka arritur të realizohet ashtu si duhet, lë për të dëshiruar. Ka pasur ankesa nga personeli shëndetësor nga klinikat që nuk janë të specializuara për pandeminë. Kjo është arsyeja kryesore edhe pse kemi numër të madh të të infektuarve nga personeli mjekësor, e që janë jashtë domenit specifik të luftimit të pandemisë”, tha Sejdiu.

    Nga Federata Sindikale e Shëndetësisë, thonë se në fillim të pandemisë është menduar se ekziston fronti i parë i luftimit të koronavirusit të ri. Por, me kalimin e kohës doli se i gjithë stafi shëndetësor ka pasur kontakte me persona të infektuar, qoftë me ata asimptomatikë apo edhe duke i trajtuar ata që kanë pasur simptome.

    Blerim Syla, kryetar i kësaj sindikate, tha se kanë kërkuar dhe e kanë parë të domosdoshëm trajnimin se si të reagojnë gjatë kohës së pandemisë.

    “Të gjithë punëtorët shëndetësorë janë takuar me të infektuarit, pasi shumë njerëz janë asimptomatikë. Duke kërkuar vizita të natyrave të ndryshme, pacientët kanë infektuar stafin mjekësor. Sindikata ka kërkuar që të mbahen trajnime se si të sillemi gjatë kësaj kohe, pasi që ka qenë virus i panjohur. Mirëpo, është bërë shumë pak përpjekje, e që në vazhdimësi është dashur të mbahen trajnime, të freskohen me dijeni nga vendet të cilat e kanë kaluar valën e pandemisë, por për fat të keq nuk ka ndodhur në Kosovë dhe si pasojë kemi një numër të madh të të infektuarve nga stafi shëndetësor në Kosovë”, tha Syla.

    Por, ushtruesi i detyrës së drejtorit në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar (SSHKUK), Valbon Krasniqi, njëherësh infektolog, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se mjekët dhe infermierët që i kanë ardhur në ndihmë Klinikës Infektive për trajtimin e pacientëve me COVID-19, kanë qenë asistentë të stafit të kësaj klinike.

    Ai shtoi se nuk ka pasur trajnim specifik për pandeminë me COVID-19, por që Kosova çdo vit ballafaqohet me sëmundje ngjitëse dhe tashmë stafi mjekësor është i trajnuar për sëmundje ngjitëse.

    “Roli i trajnimeve nuk diskutohet, por që Kosova është përballur me sëmundje ngjitëse çdo vit dhe se trajnimet nuk kanë munguar. Të punosh në institucion terciar dhe të mos dish të mbrohesh prej infeksionit, nuk ndodh. Mjekët e infermierët e Klinikës Infektive e kanë marrë barrën kryesore, derisa të tjerët kanë qenë si asistentë, ndihmës të tyre gjatë trajtimit të pacientëve me COVID-19. Gjithmonë janë veshur dhe zhveshur nga dy persona me rrobe mbrojtëse, në mënyrë që të sigurohen se nuk po bëjnë gabim”, tha Krasniqi.

    Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se numri alarmues i të infektuarve në kuadër të profesionistëve shëndetësorë është edhe në nivelin global, andaj sipas tij, në këtë aspekt as Kosova nuk bën përjashtim.

    “Nëse i referoheni shifrave globale të raportuara, konsiderohet që 10 për qind e të gjitha rasteve të raportuara deri më tani janë në mesin e profesionistëve shëndetësorë”, tha ai.

    Në këtë kuadër, Syla shtoi se duhet kushtuar një rëndësi e veçantë mbrojtjes së punëtorëve shëndetësorë në vendin e punës në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor. Maskat duhet përdorur vazhdimisht nga të gjithë pa përjashtim, përfshirë edhe personelin teknik ndihmës si dhe pacientët që frekuentojnë institucionet shëndetësore.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Deri në dy orë po vijojnë pritjet për të hyrë nga Jarinja në Kosovë. Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kombëtar, edhe te...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme bore deri të mërkurën, ndërsa nga e enjtja...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 17:00 në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, ku janë përfshirë tri automjete. Si pasojë...
    Të tjera
    Vip22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha përmes një postimi në Facebook ka thënë se ndalimi i TikTokut është, siç u...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar në Facebookun e tij pamje nga Porti i Durrësit. Ai është shprehur se numri i...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Pritjet për të hyrë në Kosovë përmes pikave kufitare te Dheu i Bardhë, dhe në Muçibabë po zgjasin një orë. E në...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Një 69-vjeçar ka humbur jetën sot në Korçë, pasi ka rënë nga rimorkio e traktorit. Policia ka bërë të ditur se 69-vjeçar...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Sekretari i PDK-së për organizim dhe zgjedhje, Betim Gjoshi ka thënë se të moshuarit kanë nevojë për pensione të dinjitetshme çdo muaj...
    Hulumtime22 Dhjetor 2024
    Real Madridi ka kaluar në epërsi ndaj Sevillas, në kuadër të xhiros së 19-të në LaLiga. Golin e ka shënuar kush tjetër...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.