
Pas një muaji suspendim, sot është kthyer në vendin e punës, Burim Buleshkaj, drejtor i Burgut të Sigurisë së Lartë në Dyz.
Arsyeja e suspendimit ka qenë publikimi në media i disa fotografive, ku ai shihet i shoqëruar me Nazmi Thaçin, vëllanë e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe me dy persona të dyshuar për lidhje me krimin: biznesmenin Blerim Potera dhe Bedri Mustafën, vëllanë e komandant “Remit”.
Por, i njëjti sot filloi punën.
Këtë gjë e ka konfirmuar për “Front Online”, Nehat Thaçi, drejtor i Burgjeve të Kosovës.
I njëjti ka pohuar se drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë në Dyz u kthye në punë, pas rekomandimit të Komisionit Hetimor, që u formua posaçërisht për këtë rast.
“Burimi është kthyer sot në punë. Në momentin që është parë fotografia në media unë kam vendosur që ta suspendojë ushtruesin e detyrës z. Burim Buleshkaj nga puna. Është themeluar komisioni hetimor”, ka bërë të ditur për “Front Online”, drejtori i burgjeve të Kosovës.
Pas hetimeve, sipas Thaçit ky komision ka dhënë rekomandim që të merret një masë disiplinore ndaj drejtorit në fjalë.
“Ky komision ka bërë hetimin e komplet ngjarjes, të të gjitha deklaratave dhe të gjitha dëshmitë dhe ka dal me rekomandim për masën disiplinuese që do t`i shqiptohet drejtorit në fjalë”, ka thënë Thaçi.
E kjo masë disiplinore, sipas Thaçit, është marrë konform shkeljes që ka bërë.
“Unë kam shqiptuar masën disiplinore për të dhe kam ndërprerë suspendimin. Masa disiplinore do të thotë që konform shkeljes që e ka bërë”, ka bërë të ditur ai për “Front Online”.
Në këtë aheng ku mori pjesë Buleshkaj, prezent ishte edhe komandanti i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Amir Gërguri. Edhe Gërguri për të njëjtën arsye ishte shkarkuar nga Rashit Qalaj, drejtor i Policisë së Kosovës, teksa ende nuk është marrë ndonjë vendim për rastin e tij.