Kroacia riktheu disa kufizime antiCOVID-19 në përpjekje për të frenuar shpërthimin e shpejtë të pandemisë, që ka nxitur largimin e turistëve të huaj.
“Duke kërkuar të frenojë përhapjen e koronavirusit dhe të veprojë në bazë të rekomandimeve, qeveria vendosi një sërë masash që do të hyjnë në fuqi të hënën dhe do të zgjasin së paku 14 ditë”, njoftuan autoritetet.
Kafenetë dhe baret do të lejojnë vetëm klientë në zona të hapura. Jo më shumë se 50 persona do të lejohen në funerale e dasma dhe jo më shumë se 20 në festime private.
Austria, Italia dhe Sllovenia e listuan Kroacinë në zonën e kuqe, për shkak të rritjes së rasteve gjatë 10 ditëve të fundit, ndërsa Gjermania etiketoi dy rajone bregdetare të saj si të pasigurta.
Turistët nga këto katër vende përbëjnë pjesën më të madhe të vizitorëve të huaj në Kroaci.