Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, Hysni Gucati e ka quajtur politik ngritjen e aktakuzës për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, raporton Front Online.
Ai thotë se ngitja e aktakuzës në këtë kohë kur po zhvillohen bisedimet, për dy figurat, siç i quajti ai kyçe, është “kokë e këmbë” politike.
“Ne edhe ditët më herët kemi thënë se pritet gjithçka nga Specialja, pasi s’ka amnisti për askënd. Unë mendoj se këto aktakuza janë politike për arsye se ky është në delegacion në bisedime në Amerikë, dhe është lider që nuk lëshon pe. Kjo aktakuzë është ‘kokë e këmbë’ politike për dy liderët më të fortë të vendit, siç është Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, tha ai për Front Online.
Ai beson se të dy liderët do të dalin faqebardhë nga Haga, ashtu siç dolën Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.
Gucati thotë se krimet në Kosovë i ka kryer Serbia.
“Unë besoj se nga kjo aktakuzë s’ka asgjë, nuk mund t’i bëj 100 vrasje Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Serbia ka bërë krime e vrasje në Kosovë. Këta do të kthehen faqebardhë ashtu siç u kthyen Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj”, tha ai për Front Online.