
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se që nga data 15 maj do të fillojë faza e parë e dezinsektimit hapësinorë në kryeqytet, raporton “Front Online”.
“Duke filluar nga dita e premte, 15 Maj, fillon faza e parë e dezinsektimit hapësinor në Komunën e Prishtinës. Kjo ditë është zgjedhur pas të gjitha përgatitjeve teknike dhe operative nga ana e Komunës së Prishtinës dhe kompanisë pasi që parashikimet klimatike sigurojnë një javë me mot stabil dhe pa reshje, për arsye se reshjet gjatë procesit të dezinsektimit e bëjnë të paefektshëm aksionin”, thuhet në njoftimin e komunës.
Dezinsektimi do të bëhet çdo ditë nga ora 19:00 në mbrëmje dje sipas komunës do të përfshijë një sipërfaqe të përgjithshme prej mbi 6000 hektarë.
“Duke u bazuar ne këto të dhëna, sivjet do të dezinsektohet një sipërfaqe e përgjithshme prej mbi 6000 hektarë, duke përfshirë edhe zona rurale ku ka potencial të lartë të zhvillmit të këtyre insekteve. Edhe këtë vit do të përdoren preparatet e sigurta të regjistruara për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dezinsektimi do të bëhet çdo ditë duke filluar nga ora 19:00”, thuhet ndër të tjera aty, përcjell “Front Online”.
Komuna ka pasur edhe një apel për qytetarët, e ku në veçanti u është kërkuar që të mbajnë të mbyllura dritaret në mënyrë që insektet mos të hyjnë brenda.
“Bashkëpunimi i qytetarëve në këtë proces është i një rëndësie të veçantë për suksesin e këtij procesi. Andaj, lusim të gjithë qytetarët për bashkëpunim në mënyrë që ky aktivitet të jetë sa më i sukseshëm. Gjatë kohës së dezinsektimit, qytetarët duhet t’i mbajnë dritaret e mbyllura, që mos të futen insektet brenda dhe të kufizojnë daljet nëpër hapësirat ku është duke u kryer dezinsektimi së paku për një orë. Gjithashtu apelohet te shoqatat e bletarëve , për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe”, është apeluar në këtë njoftim. /Front Online