Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, paraburgim për persona me çrregullime mendore, kërkesë për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik për personin me inicialet M.R., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku dyshohet se personi me inicialet M.R., ka privuar nga jeta viktimën, babain e tij, me sëpatë, mjet ky i cili është gjetur në vendin e ngjarjes.
Prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda të kësaj prokurorie, ka lëshuar urdhëresë për obduksion. Ndërsa, për të dyshuarin ka paraqitur kërkesë për ekzaminim psikiatrik.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ju njofton se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit në fjalë.