×
  • Lajme
  • Lajme

    Ibrahim Kelmendi i drejtohet Prokurorisë në Hagë për Hashim Thaçin: S’ka qenë drejtor politik i UÇK’së, e faktorizuan francezët

    FrontOnline
    16 Korrik 2020

    Ish-udhëheqësi i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ibrahim Kelmendi ka bërë të ditur se iu është drejtuar me anë të një letre Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

    Kelmendi në Facebook ka shkruar se iu është drejtuar ZPS’së për rastin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për të cilin thotë se ka folur në këtë letër lidhur me një proces për të cilin ai po akuzohet.

    Ai ka thënë se presidenti Hashim Thaçi nuk ishte udhëheqës politik i UCK’së por marionetë e shërbimit francez, e se ka qenë i komanduar prej saj për ato që duhet bërë.

    Kelmendi në Facebook ka publikuar edhe letrën e plotë që i ka dërguar zyrës së Prokurorit të Specializuar:

    RRETHANË LEHTËSUESE PËR HASHIM THAÇIN (?!)

    [Dje në mengjes (15.07.2020), i kam dërguar një letër elektronike ZPS-së, për ta informuar për një zhvillim në kohë e hapësirë, për të cilën po akuzohet Hashim Thaçi, i cili nuk ishte udhëheqës politik i UÇK-së, por ishte marionetë e shërbimit francez DGSE, prandaj ka qenë i komanduar prej saj për ato që duhet t’i ketë bërë. Ja teksti i letrës time elektronike:]

    Zyrës së Prokurorit Specializuar të Republikës së Kosovës (ZPS)

    Lënda: Informim për veprimtarinë e Hashim Thaçit.

    I nderuari Prokuror i akuzës kundër Hashim Thaçit!

    Në qershor 1999, ndoshta me datën 8, në Hotel Maritim në Köln (Gjermani), ka rastisur ta takoj Francezin Danjean ARNAUD. Ka ndodhur pak minuta pasi në hotel e kam sistemuar Z. Hashim Thaçi, që atëherë prezantohej si kryeministër i “qeverisë së përkohshme”. Duke i prit në holl të hotelit, deri sa Hashimi, i shoqëruar nga Bashkëveprimtari Bilall Sherifi, të sistemoheshin në dhomat e tyre dhe të ndërrojnë rrobat, ka ardhur Z. Danjean ARNAUD dhe më ka përshëndetur, duke ma thënë emrin tim. Meqë me befasoj aksenti francez i tij i një gjermanishteje të çalë, e pyeta kush ishte, duke e informuar se nuk e njihja. Dhe vërtetë nuk e njihja si fizikum. Ai shfaqi habinë e tij, duke e shoqëruar me një të qeshur simpatike, se po e njihja por po nuk po e pranoja. Nga xhepi nxori kartëvizitë, duke më fol, njëkohësisht, se është shok i Hashimit. Kur pash emrin e tij dhe funksionin, “shef i drejtorisë për Ballkanin pranë DGSE-së franceze” (diç e përafërt ka qenë e shënuar), atëherë mu kujtua, cili ishte Z. Arnaud. Emrin e tij e pata dëgjuar gjatë Konferencës në Rambuje (shkurt 1999), sepse ai i rrinë pranë Z. Thaçi gjatë gjithë Konferencës, duke u prezantuar si “shok” i Z. Thaçi. Tashmë e pata të qartë, se ai ishte komanduesi i tre komploteve kryesore të Z. Thaçi, gjatë Konference: 1. Imponimin si kryetar i Delegacionit të Kosovës, 2. Mos-nënshkrimin e “marrëveshjes” në Rambuje dhe 3. ne nënshkrimin e një “marrëveshje” me Ibrahim Rugovën, që Z. Thaçi, si kryeministër, të formonte “qeveri të përkohshme” (pa pas asnjëri kompetenca për të bërë të tillë marrëveshje).
    Meqë ishim vetëm unë dhe ai, e pyeta, ku dhe si e kishte njohur Z. Thaçi, për ta bërë shok. Ai më tha se e kishte njohur gjatë frekuentimit të kursit të gjuhës gjermane në Cürich (Zvicër). Mbaja mend se Z. Thaçi duhej të kishte frekuentuar kurs ë gjuhës gjermane në vitin 1995. E ironizova: „E pamundur, Ju me atë funksion aq të lartë, në shërbim sekret të Francës, të frekuentoni kurs për gjermanisht në Zvicër, ku nuk praktikohet gjermanishtja standarde. Tjetra, Ju keni pas mundësi të frekuentoni kurs gjermanishtes edhe në Strasburgun dy-gjuhësh, apo në afërsi në Gjermani. Tjetra, ju nuk keni guxuar të bëheni shok me Z. Thaçi…“ (Parafrazim sipas mbamendjes.). Që nga ai moment filluam të grindemi, sepse e pyeta, kur shërbimi simotër i Serbisë e kishte udhëzuar ta huazonte marionetën Thaçi për nevoja të DGSE-së. Në grindje e sipër janë zbrit nga dhomat Z. Thaçi dhe Z. Sherifi dhe kanë ndërhyrë që ta ndërprisnim grindjen.
    Në fakt unë ende isha në ndikimin e shqetësimeve që më pat shkaktuar ndalesa që i pat bërë policia Z. Thaçi, kur po hynte në territorin e Gjermanisë në Aeroportin Köln/Bonn, duke më informuar se e kishte të ndaluar të hynte në Gjermani. Telefonata që i pata bërë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë ndikoi që Z. Thaçi të mund të hynte pas rreth dy orë pritjeje.
    Më vonë pata një përjetim të hidhur, kur shkova në një hotel përballë stacionit hekurudhor, që e kishte rezervuar për vete BKA (Bundeskriminalamt), sepse u udhëzova që atje duhet të paraqitej secila lëvizje e z. Thaçi në zonën ku mbahej Samiti për Kosovën; ai Samit qe mbajtur nën patronatin e Kancelarit Schröder. Kur arrita në atë hotel, për ta paraqit shkuarjen e Z. Thaçi në takim me Kryeministrin Anglez Blaer, BKA ma kumtoi: “Jeni i arrestuar, për shkak se e keni kontrabanduar Z. Hashim Thaçi në Hotelin që e ka rezervuar Kabineti i Kancelarit për delegacionet shtetërore të Samitit.” U befasova. Rrëfeva të vërtetën se para disa ditëve, meqë më kishin lutur të rezervoja hotel për Z. Thaçi, kisha shkuar në Hotel Maritim, të cilin e shihja përditë kur lëvizja me autobus urban, meqë atëherë banoja në Köln. Kur kam pyet në recepcion për rezervim tre dhoma për 4-5 ditë, duke filluar nga data 8 qershor 1998, më është thënë se Hoteli është rezervuar i tëri nga Kabineti i Kancelarit. Rastësisht kam thënë që e dija, prandaj po rezervoja dhoma për kryeministër shqiptar me shoqërues të tij. Me atë rast e miratuan rezervimin dhe dhanë edhe formularë që duhej ta plotësonim, për të marrë më vonë kartat e identitetit për hyrje-dalje në hotel. Këtë veprim BKA e kishte diskualifikuar si “kontrabandim”. Ndeja i ndaluar gati katër orë. Edhe në rastin tim ndihmuan nga Ministria e Jashtme, meqë luta të më lejonin të telefonoja që të informoja ku gjendesha.
    I rrëfeva telegrafisht këto ndodhi, për të shpreh mendimin, se për krimet e mundshme që Z. Thaçi duhet t’i ketë kryer para, gjatë e pas Lufte, – duke qenë marionetë e DGSE-së franceze, i penetruar në UÇK dhe duke shpall veten “drejtor politik i UÇK-së”, – duhet të përgjigjet Francezi Danjean ARNAUD, meqë ai është komandanti i Z. Thaçi.

    ***
    Edhe pse keni informacion, dua të iu informoj, se unë dhe Z. Hashim Thaçi i përkisnim të njëjtës Organizatë: Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), e themeluar më 17 janar 1982. LPK ka marrë vendim për të formuar forcë çlirimtare në Mbledhje e Katër të përgjithshme, mbajtur më 26-27 korrik 1993 në Prishtinë, në shtëpinë e Familjes Brajshori. Z. Thaçi ka qenë pjesëmarrës, unë nuk kam qenë.
    Për të realizuar atë vendim, në dhjetor 1993, Këshilli i Përgjithshëm (KP) i LPK-së ka vendos formimin e Sektorit të rëndësisë së veçantë dhe Fondin për ndihma financiare, të cilin e kemi emëruar “vendlindja thërret” – për motivim të imigrantëve shqiptarë në Perëndim. Për shkak të rrezikshmërisë, kemi autorizuar Kryesinë e LPK-së të caktonte personat e Sektorit të rëndësisë së veçantë. Më vonë jam informuar se Kryesia ka caktuar Ali Ahmetin, Xhavit Halitin dhe Azem Sylën. Fatkeqësisht, Z. Haliti dhe Z. Syla kanë sabotuar konsolidimin e UÇK-së në Kosovë nga formimi deri në mars 1998. Ata kanë formuar në grup, që e ka quajt “shtab qendror”, të përbër nga Nait Hasani, Rexhep Selimi, Xheladin Gashi, Sokol Bashota. Ai “shtab” duhet të ketë pas edhe dy- tre “ushtarë”. Ndërsa “grupet guerile” që komandoheshin nga Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Adrian Krasniqi dhe të tjerë, nuk pranonin t’i subordinoheshin “shtabit qendror”, meqë nuk ia kishin besimin. Prandaj mbanin lidhje koordinuese me Z. Ali Ahmeti dhe shokë tjerë, që i kishin në emigracion.
    Shpërthimi i Kryengritjes së armatosur çlirimtare në Kosovë UÇK-në e gjeti të pa sistemuar, me shtab komandues. Edhe “shtabi qendror” pat humb funksionalitetin që simulonte në janar 1997, kur që burgosur Nait Hasani dhe të tjerë. Prandaj Kryesia e Lëvizjes, në mars 1998, zhbëri Sektorin e rëndësisë së veçantë, duke improvizuar udhëheqjen dhe komandimin edhe të UÇK-së. Në Prill 1998, Xhavit Haliti dhe Azem Syla, që tashmë kishin kooptuar edhe Z. Thaçi (dyshoj se i ka bërë bashkë një shërbim inteligjent që po e komplotonte formimin e UÇK-së), shpallen mosnjohjen e vendimit të Kryesisë. Për shkak të situatës jemi detyruar të thërrasim Mbledhjen e Gjashtë të përgjithshme, që e kemi mbajt në fillim të majit 1998. Nga ajo Mbledhje është zgjedh Kryesi e re. Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Hashim Thaçi nuk kanë marrë vota të mjaftueshme për të qenë në Kryesi. Jemi votuar Bedri Z. Islami kryetar, dhe Jashar Salihu, Sejdi Gega,Bardhyl Mahmuti, Ali Ahmeti, Agush Buja, Ibrahim Kelmendi (unë) anëtarë.
    Përcaktimi i Lëvizjes ishte që të përfitoheshin edhe subjektet tjera politike e partiake të Kosovës, për të pas UÇK të përbashkët, duke e institucionalizuar si ushtri shtetërore. Por nuk shfaqen gatishmëri. Prandaj mbet që për orientim politik dhe për ndihmë financiare të UÇK-së të përkujdesej Lëvizja. Që do të thotë edhe emërtimet e pjesëtarëve të komandës qëndrore dhe komandantëve të zonave operastive. Por, nuk kishim kapacitete për t’i diciplinuar sabotuesit e komplotistët Xhavit Haliti, Azem Syla e Hashim Thaçi, sepse ata kishin përkrahës…
    UÇK-ja në Kosovë është vetë-organizua, duke u vetëzgjedh e zgjedh komandantët e zonave, të cilët nuk pranonin komandën e atyre tre komplotistëve, për të cilët dyshoj që kanë ushtruar edhe dhunë fizike që ta “kapin” UÇK-në në përmasa sa më të mëdha. Në këtë drejtim i ka ndihmuar shumë financimet klandestine të “kryeministrit” Bujar Bukoshi, por ia kanë dalë t’i grabisin edhe rreth 70 % të ndihmave financiare të Fondit “vendlindja thërret”, sepse ia dolën të prezantoheshin rrejshëm si “bosa” e “udhëheqësa” të UÇK-së.
    Që të mos Ju bezdis me detaje tjera, Z. Hashim Thaçi nuk ka qenë udhëheqës politik i UÇK-së (nuk ka prova konkrete që mund ta dëshmon se e kemi zgjedh, emërua apo caktuar), por është faktorizuar si “përfaqësues” nga DGSE-ja, atëherë serbofile, dhe shërbime tjera simotra, që koordinoheshin mes tyre për ta shtyp Luftën çlirimtare të UÇK-së. Fatmirësisht vendimi për të evituar katastrofën humanitare me bombardime nga NATO, i pamundësoi Serbinë dhe ato shërbime, që ta shtypnin Luftën çlirimtare…
    Me respekt,
    Ibrahim Kelmendi
    (i lindur në Llabjan të Pejës, shtetas i Kosovës)

    PS.: Po bashkangjes foto – si dëshmi konkrete për takimin e më sipër-rrëfyer në Köln (Gjermani), me 8 qershor 1999.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Të tjera
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Prej shumë vitesh Irlanda njihet si një strehë e gjigandëve amerikanë të teknologjisë, duke ndërtuar qendra të shumta të dhënash që konsumojnë...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka zhvilluar takim me grupin parlamentar ‘Bllokun e Progresit’ i kryesuar nga shefi i...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Një zyrtar gjerman ka thënë se policia ka pasur kontakte më parë me të dyshuarin e akuzuar për sulmin në një turmë...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Driloni ka refuzuar t’i përgjigjej një pyetjeje që i ka bërë Drenusha atij për Sarën. Ajo e pyeti nëse i pengon pëlqimi...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Raporti i tij me femrat, nxiti sërish diskutimin e Gresës, Xhenetës e Drenushës, me Drilonin e Xuxin. Driloni u tha se edhe...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Sara dhe Gjesti janë parë në një afrimitet miqësie mes vete ndërsa ndanin në diskutim disa tema. Ndër to qe edhe situata...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.