Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të jap urdhër për bartjen e detyrueshme të maskës në hapësira publike, madje duke ia rikujtuar se edhe ai vetë duhet ta bëjë një gjë të tillë me qëllim që të jetë shembull për të tjerët.
“Ne këtë e kemi bërë në Nju Jork dy muaj më parë”, ka deklaruar Cuomo, duke shtuar se atë duhet ta bëjnë shtetet tjera amerikane të cilat në fillim kishin injoruar një urdhër të tillë, transmeton Telegrafi.
“Le të jap urdhrin presidenti për bartjen e detyrueshme të maskës, dhe më pas le të jetë vetë shembull për të tjerët duke bartur maskë, sepse e dimë që një veprim i tillë ndihmon shumë”, ka shtuar Cuomo.
Zyrtarë nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rekomandojnë bartjen e maskave në hapësira publike, në veçanti në ato vende ku nuk respektohet distanca sociale. Në anën tjetër Trump ka thënë se bartja e maskës është në rregull, por jo edhe për të.