Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, në një linjë direkte përmes telefonit në Pressing të T7, ka thënë se Gjykata Speciale po e sulmon direkt UÇK’në, e jo vetëm presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.
“Ne kemi kaluar nëpër shumë gjykata të ngjashme deri tash si ajo e UNMIK’ut, EULEX’it dhe e Hagës. E tash përmes Gjykatës Speciale po sulmohet UÇK’ja direkt, dhe jo individët, sepse Thaçi dhe Veseli janë koka e UÇK’së”, është shprehur Gucati në Pressing.
Tutje, ai tha se dëshmitarët mbi dëshmitë e të cilëve janë ndërtuar aktakuzat nga Prokuroria Speciale, janë persona që pretendojnë të dalin në perëndim.
“Akuzat janë ngritur nga dëshmitarë të rrejshëm, me qëllim që të dalin në perëndim”, ka thënë Gucati.
Gucati gjithashtu tha se deri më tash, Gjykata Speciale ka thirrur rreth 273 veteranë të luftës.
“Gjykata Speciale deri tash ka thirrur 273 veteranë të luftës së UÇK’së”, shtoi Gucati.