
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, tha se presidenti Thaçi nuk ka pasë dorë në krijimin e koalicionit me LDK-në, përmes të cilit po synojnë të krijojnë shumicën parlamentare.
Sipas tij, të paktën Thaçi nuk ka pasë një rol direkt, ndërsa për atë indirekt thotë se nuk e di çka ka bë, njofton Klan Kosova.
“Çka ka bë indirekt nuk mund ta di. Shkarkimin e qeverisë e ka votuar edhe PDK-ja. Kjo mundet të interpretohet si rol direkt në krijimin e qeverisë së re”.
Gjini tha se zgjedhja e presidentit vitin e ardhshëm mund të jetë mollë sherri edhe për këtë koalicion – nëse arrin të merr ekzekutivin.
“Gjasat ekzistojnë që në prillin e vitit të ardhshëm nëse nuk arrihet konsensus për zgjedhjen e presidentit të shkohet në zgjedhje patjetër. Ne fare nuk kemi diskutuar se kush do të jetë president me LDK-në. Nuk është hapur fare kjo çështje”.
Pse Ramush Haradinaj nuk kërkoi asnjë post ekzekutiv, ndryshe nga të gjitha herët e kaluara, Gjini në Rubikon tha se është për shkak të rrethanave krejt tjera këtë herë.
“Në qeveritë e kaluara kur kemi hyrë në koalicionin parazgjedhor është përmbushur kushti që Haradinaj të jetë kryeministër. Tani janë rrethana të tjera sepse s’kemi hyrë me këtë kusht. Hëradinaj ka thënë se nuk mundet që në këto rrethana me vu këso kushte”.
Për mundësinë që Haradinaj të bëhet president i Kosovës vitin e ardhshëm, Gjini tha se kjo s’dihet pasi ende s’u diskutua me LDK-në.
I pari i Gjakovës gjithashtu tha se partia e tij në vitin 2014 kanë kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por që sjelljet e tyre kanë qenë konform vendimit. Ndërsa, tani ai po e arsyeton veprimin e presidentit që mandatin t’ia kalojë partisë së dytë.
“Logjika thotë që nëse një qeveri e shkarkuar nuk e dërgon mandatarin për një muaj apo një muaj e gjysmë atëherë s’ka çka të pritet”.