
Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se i ka caktuar masën e paraburgimit prej 20 ditësh, të pandehurit M.R, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, në prani të fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, është bërë me dije se Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është mase adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që po të gjendet në liri, ai mund të përsëris veprën penale.
“…duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, e cila vepër penale dyshohet se është kryer në ambiente familjare në prezencë të fëmijëve të tyre dhe anëtarëve tjerë të familjes duke krijuar shqetësime për fëmijët që mund të kenë pasoja psikologjike për të ardhmen e tyre”, thuhet në komunikatën e Gjykatës drejtuar mediave.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.