Qeveria britanike ka njoftuar se organizatat kulturore dhe ato të trashëgimisë do t’i marrin 1.57 miliard funte si pako ndihmëse shkaku i efektit negativ të koronavirusit.
Muzetë, galeritë, tetrot, kinematë e pavarura, qendrat e trashëgimisë dhe sallat muzikore kanë qenë të mbyllura në Britani që nga muaji mars, kur vendi u izolua për shkak të përhapjes së koronavirusit, shkruan “CNN”.
“Fondi emergjent do t’i ndihmojë institucionet e kulturës dhe trashëgimisë që të mos ‘përmbyten’ përderisa dyert e tyre qëndrojnë të mbyllura. Financimi i rifillimit të projekteve gjithashtu do të ofrojë ndihmë për punësim, përfshirë artistët e pavarur për punojnë në këta sektorë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
“Industria kulturore e Britanisë së Madhe është zemra që rrah e këtij vendi. Këto të holla do të ndihmojnë për ta ruajtur sektorin për gjeneratat e ardhshme”, tha mes tjerash kryeministri Boris Johnson.
Ndryshe, Britania është shteti me numrin më të madh të viktimave të koronavirusit në Evropë dhe një ndër vendet më të prekura në tërë botën.