×
  • Lajme
  • Lajme

    Blerim Shala sjell librin “Letra nga Azili”, i shkruar gjatë 100 ditëve të pandemisë

    FrontOnline
    14 Korrik 2020

    Libri Letra nga Azili, i shkruar nga Blerim Shala, si ditar gjatë njëqind ditëve të pandemisë, nuk është thjesht një regjistrim realist i gjendjes pandemike nga një apartament në një lagje të Prishtinës, por një regjistrim kaleidoskopik dhe reflektim filozofik mbi këtë gjendje. Për nga tema, ky është një libër i pandemisë; për nga koha, është libër i karantinës; për nga forma, është ditar; për nga zhanri, është ese; për nga tipi, është filozofik.

    Ag Apolloni

    Kalimi nga gjendja e zakonshme në të jashtëzakonshme vjen zakonisht si pasojë e ngjarjeve traumatike, të cilat gjithmonë prishin linearitetin e të jetuarit. Ngjarje të tilla janë luftërat, pandemitë, apo sulmet terroriste, të cilat, edhe pse tranzitore, ndryshojnë në shkallë të ndryshme mënyrën e jetesës dhe mënyrën e të menduarit në vendet e prekura prej tyre, siç bënë, për shembull, dy luftërat botërore dhe gripi spanjoll në shekullin e kaluar, apo edhe sulmi terrorist mbi Kullat Binjake, në shekullin e ri. Këto ngjarje traumatike, pos që e rrezikuan, e dëmtuan dhe e transformuan jetën njerëzore, ndikuan edhe në letërsi. Derisa ishin duke ndodhur, për to shkruheshin kryesisht ditarë (Mary O’Neill, Anne Frank, Patton etj.), ndërsa pasi mbaruan, ato u shërbyen autorëve si impulse për vepra letrare si The Waste Land (T. S. Eliot), A Farewell to Arms (Ernest Hemin-gway), Slaughter-house Five (Kurt Vonnegut), Exit Ghost (Philip Roth), Falling Man (Don DeLillo) etj.

    Pandemia si temë është e pranishme në letërsi që nga koha antike. Për të flitet edhe në Iliadë dhe Bibël, po ashtu në tragjedinë Edipi mbret. Për të shkruajnë edhe Tukididi dhe Lukreci, ndërsa më vonë edhe Boccaccio, Chaucer, Defoe, Poe, Manzoni, Camus etj. Pra, pandemia është temë e vjetër, por pandemia me akronim dhe shifër të lindjes, Covid-19 (Corona Virus Disease – 2019), është temë e re.

    Librat që janë shkruar përgjatë pandemisë kategorizohen si libra okazionalë, që do të thotë se pa kontekstin pandemik, ato nuk do të shkruheshin. Këtu hyjnë të gjithë librat e karantinës, si “Pan(dem)ic!” (Slavoj Žižek), “Ky virus që po na çmend” (Bernard-Henry Lévy), apo “Letra nga azili” (Blerim Shala). Krejt rastësisht, këta libra lidhen me alarmin që shfaqet në titull: i pari zgjon panik, i dyti alarmon për rrezikun nga çmendja, kurse i treti e aprovon panikun, pan-deminë dhe çmendjen, duke luajtur me ambiguitetin e fjalës “azil”.

    Libri Letra nga azili, i shkruar si ditar gjatë njëqind ditëve të pandemisë, nuk është thjesht një regjistrim realist i gjendjes pandemike nga një apartament në një lagje të Prishtinës, por një regjistrim kaleidoskopik dhe reflektim filozofik mbi këtë gjendje. Për nga tema, ky është një libër i pandemisë; për nga koha, është libër i karantinës; për nga forma, është ditar; për nga zhanri, është ese; për nga tipi, është filozofik.

    Filozofia e frikës

    Është e vështirë, ndoshta e pamundur, të flitet për ekzistencializmin, duke e shpërfillur frikën. Qenia gjithmonë ka frikë se mos bëhet mosqenie, prandaj edhe vret mendjen për të gjetur shpëtimin, qoftë në formë besimi (religjioni), qoftë në formë kërkimi (shkenca). Siç thotë Kierkegaardi, ne kemi frikë nga vdekja, sepse ajo është e panjohur. E panjohura na frikëson, sepse nuk e dimë çfarë na pret përtej. Prandaj, kur u shfaq virusi corona, të gjithë i kaploi frika (paniku) nga takimi potencial me të panjohurën, që është vdekja. Edhe pse në botën e prekur nga pandemia mund të kishte shumë njerëz të cilëve, nga varfëria, apo arsye të tjera, shpirti u kishte ardhur te hunda, askush nuk e priti me gëzim këtë sëmundje, se, fundja, edhe ata më të dëshpëruarit, do të kenë menduar se këndej vërtet është keq, por andej mund të jetë edhe më keq; sepse, dihet, parajsa s’i është premtuar askujt, kurse etika humane kushedi a korrespondon me ‘etikën hyjnore’.

    Pikërisht këtë frikë gjithë-popullore, pandemike (gr. pan – gjithë dhe demos – popull), Blerim Shala e tematizon përgjatë gjithë librit, duke reflektuar mbi jetën, sëmundjen, vdekjen, ankthin, boshllëkun, artin, shkencën, sportin, religjionin etj. Duke qenë se gjatë pandemisë jeta u kthye në izolim dhe mosveprim, autori, siç sugjeron Barthes kur flet për pozat në studimin mbi domethënien e tretë, e shfrytëzon këtë pauzë për t’i analizuar pozat përfaqësuese të filmit, ku të gjithë jemi personazhe të barabartë para mëshirës së një regjisori të padukshëm.

    Arti i asociacioneve

    Ky ditar njëqindditësh është i ngjeshur me ide që lidhen me zymtësinë e përgjithshme të ditëve të izolimit. E, sikur lëvizja që është shenjtëria e filmit, lidhja është shenjtëria e esesë. Blerim Shala, jo vetëm në këtë libër, shquhet për lidhjen e ideve dhe dukurive që i trajton. Ai i lidh virusin kibernetik me virusin pandemik, kurorën bakteriale me kurorën mbretërore, sëmundjen me terrorizmin, apo dekalogun biblik me “dekalogun” pandemik.

    Gjithashtu, në këto ese bëhen lidhje mes mitologjisë dhe virtualitetit, mes llojeve të maskave, mes letërsisë (Milton, Shakespeare, Kafka, Borges etj.) dhe filozofisë (Platon, Aristotel, Pascal, Rousseau, Kant, Nietzsche etj.). Rrjeti i referencave shtrihet edhe në fusha të tjera, si: filmi (Scorsese, serialet) e muzika (Bob Dylan, Andrea Bocelli, Freddie Mercury, Michael Stipe, Zucchero). Nëpërmjet diskutimit të këtillë, autori i jep kuptim trivialitetit dhe i bën homazh gjenialitetit.

    Muza e këtij libri është një sintezë inspirimi, meqë temat vijnë nga të gjitha anët: realiteti, librat, televizori dhe interneti (rrjetet sociale, mediat online). Kjo muzë proteike dhe produktive sjell një larmi në ditët monotone e uniforme, duke marrë nga disa realitete: realiteti metafizik, realiteti material dhe realiteti virtual, i cili formon hiper-realitetin (simulacrum-in), siç do të thoshte Jean Baudrillard. E, kur duket se janë trajtuar të gjitha temat, autori e tematizon procesin e shkrimit.

    Edhe pse pandemia e pasivizoi jetën, e bëri të shkretë, ky libër prodhon ide edhe nga situata “shterpe”. Secila ese ofron ide të reja, reflektime të thella mbi përditshmërinë e pazakontë. Nuk mund të mos pajtohemi me idenë për muret e krijuara nga pandemia, apo me ndryshimin themelor të jetës pas shfaqjes së sëmundjes, pas së cilës ka ndryshuar edhe bontoni, ngaqë kemi ndryshuar ne karshi shenjave normale, që s’do të jenë të tilla pas traumës: teshtima, kollitja dhe prekja. Këto shenja sigurisht që mund të çojnë drejt krijimit të një drame, siç sugjerohet në njërën nga esetë e këtij libri, pasi që gjithmonë është një gjendje që prodhon një dramë, aq më shumë kur kjo gjendje është globale. Provokues duket edhe kombinimi i anktheve dhe dilemave të përhershme me terminologjinë moderne: sëmundja si spam, Murtaja 2020, Toka 2.0 etj., si dhe krahasimi i sëmundjes me serialet, përkatësisht krahasimi i publikut me pacientët. Lidhjet mes dukurive, domeneve, kohëve, ideve, ruajnë atraktivitetin e tyre, si: koncepti i Viçit të artë në ditët e sotme, të përbashkëtat e Sherlock Holmes-it me Franc Kafkën dhe Covid-in, “zëvendësimi” i udhëtimeve reale me udhëtimet nëpërmjet kujtesës etj. E nuk mungon as ngushëllimi ironik: “Do të kalojë edhe kjo. Do të kalojmë edhe ne. Do të harrohemi”.

    Në këto ese shihet që izolimi e ka gërryer autorin, siç na ka gërryer të gjithëve, por përderisa shumica vetëm janë gërryer, ai (autori) ka gërryer, ka gërmuar dhe ka gjetur ide dhe kuptime: “Jetë pa kuptim ka. Por ata që jetojnë kështu, këtë nuk e dinë. Por jetë pa kërkim të kuptimit nuk ka”.

    Ndodhja (prania) e autorit brenda rrëfimit e bën “historinë” më të afërt dhe relativizon gjithçka, në kuptimin që lexuesit e shohin se ai është dëshmitar, përjetues, reflektues, por jo narrator i jashtëm, meqë vetë konteksti s’ia jep atë luks. Pra, duke qenë autori, “personazhet” dhe lexuesi brenda qarkut pandemik, rrëfimi i barazon të gjithë, ashtu siç i barazoi njerëzit ky virus.

    Në mënyrë kreative dhe domethënëse janë trajtuar edhe konceptet për decentralizimin e kompetencave, kalimin e kompetencave nga shteti tek individi, si dhe ndryshimi i kontratës shoqërore.

    Sigurisht, në këtë periudhë të virusit, trajtimi i sindromit të Uliksit (lidhjes me Itakën) pohon lidhjen tonë me origjinën mitike: kthimi në shtëpi. Jeta ka ndryshuar, rruga ka ndryshuar, vdekja ka ndryshuar, por shtëpia ka mbetur e njëjtë, ajo është strehë nga stuhia, siç thotë Bob Dylani. Vdekja, varrimi, vajtimi, tashmë janë bërë edhe më personale, prejse janë hequr mundësitë e tubimit dhe ngushëllimit kolektiv. Dhe trajtimi i të gjitha këtyre në këto ese, tregon se i është bërë një autopsi një jete të kaluar dhe një inventarrizim aktualitetit pandemik.

    Këto njëqind ese për periudhën pandemike janë si një thurje (tekstili), ku punohen motive të ndryshme të kapura për një vjegëze. Relacionet intertekstuale janë shtuar nga kapitulli në kapitull, duke trajtuar të gjitha fushat dhe duke e mbushur strukturën me erudicion.

    Këto ese i bën tërheqëse jo vetëm tematika, por edhe teknika. Në to shihet herë një model rrethor (merret një ide në fillim dhe linja shkon përqark për t’u takuar në fund në të njëjtën pikë, apo temë), herë një model spiral (jepet një ide në fillim dhe ajo shkon duke u sjellë e zgjeruar). Kështu, nisur nga mënyra se si janë konceptuar e shkruar, këto ese kanë vlerë të dyfishtë: estetike dhe dokumentare.

    Arratisje dhe strehim

    Libri është shkruar si dialog i nënkuptueshëm i autorit me lexuesin. Kjo vërehet edhe nga apostrofimi i herëpashershëm që i bëhet lexuesit nëpër ese. Meqë, si autori, ashtu edhe lexuesit janë të mbyllur brenda katër muresh nga i njëjti armik i padukshëm, kjo formë e izolimit imponon edhe formën e komunikimit, që nënkupton ngjashmërinë baudelaireane: mon semblable, mon frere (i ngjashmi im, vëllai im).

    Këtij të ngjashmi, këtij “vëllai”, autori i shkruan nga azili. Jo nga kurbeti, por nga çmendina. Natyrisht, kjo është një lojë intertekstuale me thënien e stërpërsëritur në këtë kohë të izolimit total, kur çdo i izoluar, i mërzitur nga monotonia e jetës, thotë: u çmenda. Por, sipas Michel Foucault, ai që thotë “unë jam i çmendur”, luan me validitetin e cogito-s. Prandaj, sipas të njëjtin filozof, gjuha e këtyre eseve mund të quhet “gjuhë e psikiatrisë, e cila është monolog i arsyes mbi marrëzinë”.

    Në këto letra vërehen ndryshimet e gjendjes personale si pasojë e ndryshimit të gjendjes së përgjithshme. Në grafikën e disponimit emocional, varësisht nga statistika e vdekjeve, lëviz edhe diagrami i sekuencës. Kur duket se po shkohet drejt “zgjidhjes së konfliktit” (po e shohim pandeminë si luftë, siç e shihte Camus te “Murtaja”), rritet shpresa, e cila pastaj i lë vend prapë frikës, nga shkaku i ndonjë virusi politik. Kur duket se po mbaron një krizë, fillon tjetra. Si në shekullin e kaluar, kur njerëzimi, pasi shpëtoi nga pandemia që erdhi si kapak i Luftës së Parë, vuri në dyshim njerëzoren nëpërmjet racizmit të Luftës së Dytë, edhe tash, kur nisëm të lirohemi nga pandemia, shpërtheu racizmi. Është rastësi frikësuese që viktima e racizmit dhe viktimat e pandemisë, vdiqën pas problemeve me frymëmarrje. We can’t breath, thanë të dy palët.

    Për arsye të komunikimit, jo të shterimit të frymëzimit, ky libër u mbyll në ditën e njëqindtë, mirëpo rreziku nga virusi vazhdon. Statistika sikur insiston që sëmundja të mos injorohet. Nga droja e shifrave në rritje, si në teatrin e Beckett-it, bota rri në pritje të vaksinës. Kjo periudhë e mbylljes (gjatë së cilës, siç thotë autori duke iu referuar pritjes dhe ndjeshmërisë sonë, femrat dhe meshkujt janë bërë si shtatzëna) vjen pas asaj të turravrapit. Pyetja që shtrihet gjithandej në tekst e nëntekst se a do të mbushemi mend, a do t’ia dimë rëndësinë jetës, pas normalizimit, merr një përgjigje ironike: po, nëse ne do të shpëtojmë me mend, nëse ne do të jemi normalë. Morali i historisë së kësaj pandemie ishte, siç thuhet në njërën nga esetë, që diçka tepër e rëndë duhet të na ndodhë që t’ia dimë rëndësinë jetës.

    Ky libër, pjesë e lockdown culture, e cila prodhoi këngë, libra, emisione etj., është shkruar si letra nga azili. Azili nuk është vetëm institucion mental, por edhe bujtinë shpirtërore, strehë nga stuhia, nga e keqja, nga rreziku. Si personazhet e Giovanni Boccaccio-s në Dekameronin (dhjetëditëshin) e tij, kur ikin nga murtaja dhe strehohen në njëqind rrëfimet e tyre, edhe Blerim Shala për të shpëtuar nga mërzia, nga monotonia, ka zgjedhur që në hektameronin (njëqindditëshin) e tij të ikë nga ‘murtaja’ e të strehohet në filozofi dhe letërsi. Siç e ka deklaruar edhe në titullin e një vepre të një kohe tjetër të rëndë, ai ndihet i sigurt vetëm në “strehimore letre”. / ObserverKult

    Libri i Blerim Shalës, “Letra nga Azili”, gjendet në libraritë “Artini-Toena” dhe “Dukagjini”, në Prishtinë./Indeksonline/

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të hënën me bashkëpartiakët e tij, bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota. Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij, Xhaferin dhe pensionistë të tjerë, ku ka premtuar se viti...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.