×
  • Lajme
  • Lajme

    BE ndan 2 milionë euro për ristaurimin e objekteve historike në Janjevë

    FrontOnline
    14 Qershor 2021

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka ndarë 2 milionë euro për ruajtjen dhe rigjenerimin e qendrës historike të Janjevës.

    Shefi i kësaj zyre, Tomash Szunyog, gjatë ceremonisë së sotme, tha se është i impresionuar nga fryma e bashkëpunimit në mes të komuniteteve të ndryshme që jetojnë bashkë në Janjevë.

    Tutje, ai sqaroi se fondi i ndarë sot, është pjesë e Projektit “IPA 2020”.

    Szunyog: Do t’i ndajmë 2 milionë euro për ristaurim të 14 shtëpive në Janjevë

    “Kemi ardhur në Janjevë që të shohim përreth këtij vendi multi-kulturor, multi-etnik dhe me histori të veçantë. Jam i impresionuar nga kjo frymë e bashkëpunimit në mes të komuniteteve të ndryshme që jetojnë bashkë dhe po ashtu jam informuar sot me sfidat në infrastrukturë, furnizimin me ujë, me energji elektrike, çështje të sigurisë dhe të tjera. Jam i bindur që së bashku, komuniteti ndërkombëtar, qeveria, komuniteti lokal mund të shpëtojnë këtë vend, sepse është kontribut për një vend multikulturor. Ne si Bashkim Evropian do të vazhdojmë të financojmë dhe përkrahim projektin e fokusuar në trashëgiminë kulturore. Planifikojmë të ndajmë 2 milionë euro nga program ynë për ristaurim. Ky do të jenë pjesë e Projektit IPA 2020, të cilin duhet ta diskutojmë me Qeverinë apo Parlamentin se si ta miratojmë nga ana e Kosovës”.

    Vizitës së sotme në Janjevë iu bashkua edhe ambasadorja kroate në Kosovë, Daniella Barishiq, e cila së bashku me ambasadorin Szunyog dhe përfaqësues të institucioneve tjera, ndërkombëtare dhe vendore, u takuan edhe me përfaqësues të komunitetit lokal dhe vizituan disa nga objektet më domethënëse të trashëgimisë kulturore në Janjevë.

    Barishiq tha se të gjithë së bashku duhet të mbrojnë vlerat dhe pasuritë e Janjevës.

    Barishiq: Duhet ta ndihmojmë Janjevën me fonde

    “Meqë kam gati dy vite këtu, kam qenë disa herë në këtë vend dhe duhet të them se janë disa sfida, të cilat po përpiqemi t’i zgjidhim për disa vite dhe mendoj se kjo vizitë e përbashkët do të shtyjë përpara zgjidhjen e sfidave dhe problemeve në Janjevë. Siç tha kolegu im, Szunyog, mendoj se ky qytet i bukur për shumë vite ka kultivuar multikulturalitetin dhe jetën e përbashkët fetare mes komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Nuk ka asnjë arsye që të mos vazhdohet një gjë e tillë, por sigurisht me ndihmën e të gjithë neve, posaçërisht nga fondet e BE-së dhe UNDP-së. Meqë jam nga Kroacia, më duhet t’ju tregoj diçka. Kur e përmend Janjevën në Zagreb, thonë menjëherë ah po, është nga Kosova. Pasuritë e Janjevës janë PR shumë i mirë edhe për Kosovën dhe mendoj se ne të gjithë mundemi dhe duhemi të punojmë së bashku në mënyrë që të kemi ekonomi të qëndrueshme këtu”.

    Në anën tjetër, ministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Liburn Aliu, në ceremoninë e sotme tha se objektet historike dhe kulturore në Janjevë duhet të mbrohen dhe ristaurohen.

    Sipas tij, Janjeva duhet të jetë pjesë e një plani më të gjerë.

    Aliu: Janjeva të përfshihet brenda një plani më të gjerë

    “Është e rëndësishme që objektet që i vizituam, të cilat përfaqësojnë elementet kulturore dhe identitetin historik të Janjevës të ruhen, të mbrohen, të ristaurohen ato shtëpi dhe elementet kulturore të Janjevës të jenë të qasshme dhe të mbijetojnë më gjatë. Duhet parë në kontekst më të gjerë. Nuk duhet parë vetëm brenda Janjevës, por duhet të shndërrohet Janjeva brenda një plani të përgjithshëm zhvillimor të turizimit. Unë besoj që me një trajtim më përfshirës hapësinor ku Janjeva do të ishte pjesë e një plani më të gjerë, do të kishim zhvillim të qëndrueshëm duke pasur parasysh edhe elementet kombëtare edhe ato të mjedisit në këtë vend”.

    Falenderues për të gjitha investimet e komunitetit ndërkombëtar në Janjevë, u shpreh kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili tha se sfidat e kësaj zone janë produkt i gjendjes socio-ekonomike në Kosovë.

    Ahmeti: Sfidat në Janjevë janë produkt i gjendjes socio-ekonomike në Kosovë

    “Këta sfida në Janjevë janë produkt i gjendjes socio-ekonomike në Kosovë dhe normalisht me impakt të veçantë në Janjevë, për shkak të diversitetit kulturor dhe për shkak të trashëgimisë kulturore që ka qytetëza e Janjevës. Jo rastësisht komuna para dy vite bashkë me zyrën e BE-së në Kosovë është përpjekur që të kthehet në ristaurimin e objekteve që ruajnë trashëgiminë kulturore të Janjevës dhe unë përgëzoj të gjithë ata që kanë ndikuar që ky projekt të marrë formën e finalizimit”.

    Vizitës së sotme në Janjevë iu bashkua edhe koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, Ulrika Richardson, e cila tha se plani për ristaurim në Janjevë duhet të shoqërohet me investime në infrastrukturë, furnizim me ujë dhe menaxhim të mbeturinave.

    Projekti prej 2 milionë eurosh për ruajtjen dhe rigjenerimin e qendrës historike të Janjevës, është shtesë e fondit 1.4 milion euro të ndarë nga Qeveria, me Zyrën e UNDP-së në Kosovë si partnere në implementim

    Big Brother VIP Albania në NimiTV
    Nga Rubrika
    Lajme26 Prill 2024
    Nënkryetari i kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se nëse qytetarët e Kosovës kanë menduar në vitin 2019 e...
    Lajme26 Prill 2024
    Qëndrimin e tij në Berlin, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e përmbylli me një takim bilateral me ministren e Punëve...
    Lajme26 Prill 2024
    Sipas ish-diplomatit Blerim Canaj, Kurti nuk po besohet më nga presidentët amerikan dhe francez, Jode Biden dhe Emmanuel Macron. Shkaku i këtij...
    Të tjera
    Lajme26 Prill 2024
    Të hënën është diskutuar për situatën në Kosovë në seancën e Këshillit të Sigurisë të Organizatës së Kombëve të Bashkuara ku vendi...
    Sport26 Prill 2024
    Futbollisti legjendar dhe ikona e Barcelonës, Romario, është kthyer nga pensionimi në moshën 58-vjeçare. Braziliani ka nënshkruar për klubin e tij të...
    Sport26 Prill 2024
    Valon Zymberi dhe anëtarët e tjerë nga kryesia e klubit të Dritës janë liruar. Ata ishin në masë ndalimi për 48 orë. Sot u mbajt...
    Bota/Rajoni26 Prill 2024
    “Nuk ka asnjë urgjencë”, kështu i është përgjigjur kryeministri Edi Rama i kërkesës së kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi...
    Lajme26 Prill 2024
    Policia e Kosovës, njofton se në vazhdën e aktiviteteve hetimore dhe operative në terren ka zhvilluar një operacion policor në rajonin e...
    Lajme26 Prill 2024
    Të dielën e 21 prillit, qytetarët serb kanë bojkotuar referendumin për shkarkimin e kryetarëve shqiptar në Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.